• e enjte, 26 dhjetor 2024

Sali: Nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen se e kujt ka qenë iniciativa reale e amnistisë së BRAKO-s

Sali: Nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen se e kujt ka qenë iniciativa reale e amnistisë së BRAKO-s

Shkup, 15 gusht 2023 (MIA)- Pas emisionit të publikuar nga Laboratori i Reporterëve Hulumtues me titull “Vrasje në Tetovë”, ku janë zbardhur shumë të vërteta rreth djegies së spitalit modular në Tetovë më 8 shtator 2021, sot jam këtu që, si ish ministër i Shëndetësisë gjatë periudhës janar 2022 – shkurt 2023, të deklaroj se me procedurën për djegien e spitalit modular viktimat u dogjën për së dyti, ndërsa fajtorët u shpërblyen, ka thënë ish ministri Bekim Sali në konferencën e sotme për media në Shkup.

Hetimet dhe procedurat gjyqësore që janë zhvilluar pas këtij rasti veç më kanë bindur se ajo procedurë gjithçka mund të ketë qenë, pos kërkim i drejtësisë.

"Ashtu siç mund të vërehet edhe në emisionin e sipërpërmendur, më duhet të saktësoj se pas dyshimeve të mia si ministër se djegia në spitalin modular është shkaktuar për shkak të abuzimit më procedurën ndërtimore dhe procedurën e furnizimit publik, më 30 shtator 2022 kërkova të bëhet revizion i brendshëm nga Sektori i Revizionit të Ministrisë së Shëndetësisë. Pas punës disamujore, më 25 janar 2023 raporti i tyre ishte gati, me ç’rast u dha rekomandimi që Ministria e Shëndetësisë duhet ta ndërpresë kontratën për realizimin e punimeve dhe të mos i paguajë asgjë më realizuesit deri në përfundim të procesit gjyqësor", ka thënë ai.

Megjithatë, më 23 shkurt 2023, shton ai, unë u shkarkova nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe, siç e pamë dje, pasardhësi im, në korrik të 2023-tës, përmes Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ka iniciuar pagesën e borxhit ndaj kompanisë BRAKO, kjo edhe përkundër rekomandimeve të revizionit të brendshëm. Me fjalë të tjera, njëri ndër fajtorët e pretenduar kryesorë në emisionin “Vrasje në Tetovë” është shpërblyer.

"Pas kësaj, nuk mund të mos e shtrojmë pyetjen se e kujt ka qenë iniciativa reale e amnistisë së BRAKO-s dhe vazhdimin e pagesës, duke mos e respektuar rekomandimin e revizionit?! A është kjo kërkesë e Kovaçevskit, mashtrim a joshje e Fatmir Mexhitit apo porosi e Artan Grubit?! Fatmir, mos edhe për këtë dështim fajin ta ka udhëheqësia e kaluar e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ish ministri? Cili është detyrimi që ka kjo qeveri ndaj Koço Angjushevit dhe pse qeveria është në gjendje të bëjë edhe shkelje mbi kufomat e 8 shtatorit 2021 vetëm për të përfituar disa miliona euro më shumë?! Edhe çka duhet t’i ndodhë Kovaçevskit dhe Fatmir Mexhitit që të japin dorëheqje dhe të kërkojnë falje për të gjitha këto dëme që ua shkaktojnë qytetarëve?!", ka thënë Sali.

Përveç tyre, cila është përgjegjësia e Kryeprokurorit Lubomir Jovevski, i cili në vend se ta adresojë fajtorin dhe të kërkojë fajtorë ndër ata që i kanë ndërtuar ato spitale modulare, ka ngritur padi për përgjegjësi sekondare, duke e anashkaluar përgjegjësinë themelore të kompanisë realizuese, e porositësve dhe e mbështetësve të kësaj kompanie? Edhe sa viktima duhet të ndodhin, edhe sa njerëz duhet të digjen në flakë që prokuroria të fillojë të merret me dënimin e fajtorëve?

Në një vend ku pacientët digjen në spital, ku qeveritarët numërojnë milionat, ku prokurorët tallen me viktimat dhe ku fajtorët shpërblehen me miliona të tjera, ka ardhur koha të themi se ky shtet ka falimentuar plotësisht dhe duhet ristartuar, ka thënë mes tjerash Bekim Sali, përfaqësues i partisë Alternativa.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR