Sadiki Shaini: Me një fond mbi tetë milionë euro do të mbështesim klubet sportive dhe zhvillimin e sportit
- Zëvendësministrja e Sportit dhe nënkryetare e Alternativës, pjesë e Koalicionit "Vlen", Safije Sadiki Shaini, në konferencën e sotme për media theksoi se me një fond prej mbi tetë milionë euro do të mbështesin klubet sportive dhe zhvillimin e sportit.
- Post By Sara Ademi
- 15:45, 23 dhjetor, 2024
Shkup, 23 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendësministrja e Sportit dhe nënkryetare e Alternativës, pjesë e Koalicionit "Vlen", Safije Sadiki Shaini, në konferencën e sotme për media theksoi se me një fond prej mbi tetë milionë euro do të mbështesin klubet sportive dhe zhvillimin e sportit.
"Sporti është pasaportë krenarie për çdo komb. Me mbështetjen tuaj dhe vullnetin tonë për të ndryshuar, ne filluam një epokë të re për sportin në vendin tonë. Tani talentët tanë nuk harrohen më dhe klubet tona nuk janë më të margjinalizuara. Punojmë për të sjellë mundësi për të gjithë. Me një fond prej mbi tetë milionë eurosh janë ndarë mjete të konsiderueshme për mbështetjen e klubeve sportive dhe zhvillimin e sportit. Gjërat kanë ndryshuar tani dhe sportistët po marrin mundësi të reja për sukses dhe avancim. Ndryshimi i Qeverisë ka një efekt pozitiv në çdo sektor, edhe në sport. Tani çdo talent ka mundësinë të arrijë majat më të larta. Nuk ka vend për ndarje dhe diskriminim në sport. Kjo është një tragjedi e së kaluarës e cila tani është pas nesh", tha Sadiki Shaini.
Ajo theksoi se kanë ndarë 500 bursa për talentët e rinj të sportit dhe theksoi se do të vazhdojnë t'i mbështesin edhe në të ardhmen.
"Ndërkohë kemi ndarë 500 bursa për talentet e rinj të sportit. Ne do ta vazhdojmë këtë praktikë edhe në të ardhmen dhe do të përpiqemi të rrisim ndihmën dhe që këta talentë të rinj të marrin më shumë mbështetje nga shteti. Ky është një hap tjetër me të cilin tregojmë se kujdesemi për të rinjtë dhe për të ardhmen, e cila për ne ka një rëndësi të madhe për promovimin e një shoqërie të shëndetshme dhe ndërtimin e vlerave reale", tha ajo.
Ajo theksoi se kanë votuar Programin për objekte sportive për vitin 2024, përmes të cilit tashmë disa objekte sportive janë duke u rikonstruuar, e disa pritet të rikonstruohen. sa/