Së shpejti zgjidhje për rritjen e pagave në shëndetësi, do të intensifikohet edhe dialogu ekonomiko-social
- Së shpejti Qeveria do të dalë me zgjidhje për rritjen e pagave në shëndetësi, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski pas Këshillit ekzekutiv të Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL).
- Post By Qefsere Abduli
- 17:22, 22 tetor, 2024
Shkup, 22 tetor 2024 (MIA) - Së shpejti Qeveria do të dalë me zgjidhje për rritjen e pagave në shëndetësi, tha sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski pas Këshillit ekzekutiv të Konfederatës së Sindikatave të Lira (KSL).
Ai paralajmëroi edhe intensifikimin e dialogjeve sociale, si dhe të mbledhjeve me të gjitha sindikatat dhe organizatat joqeveritare nga sfera e punës, në të cilat, i pranishëm do të jetë edhe sektori i biznesit.
Sindikatat i përshëndetën masat qeveritare, veçanërisht shportën e vjeshtës dhe atë shkollore.
"Falë konsolidimit të shpejtë të Buxhetit, përmirësimit të parametrave ekonomike dhe inflacionit të ulët, arritëm t'i paguajmë pagat në shumicën e ndërmarrjeve kryesore publike si 'Pyjet e Maqedonisë', 'Hekurudhat' dhe 'Postat', por arritëm edhe të rrisim pagat në arsim me pesë për qind, me paralajmërim se në katër vitet e ardhshme rritja do të arrijë të paktën 46 për qind, me mundësi që kjo përqindje të jetë edhe më e lartë. Tashmë jemi duke punuar për zgjidhje për kujdesin shëndetësor. Së shpejti do të dëgjoni se çfarë zgjidhje do të ofrojë Qeveria për pagat në shëndetësi", theksoi Risteski.
Ai përkujtoi edhe se para një jave, në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, ka filluar të funksionojë Këshilli Ekonomiko-Social.
Edhe me këtë rast Risteski u përqëndrua në pushtein e kaluar, duke e akuzuar se ka lënë, siç tha, kaos ekonomik.
Sipas kryetarit të KSL-së, Blagoja Ralpovski, janë grumbulluar shumë probleme, para së gjithash funksionimi i dialogut social.
"Shumë herë e kemi thënë se dialogu social është vetëm formal, pa asgjë thelbësore. Në atë pjesë sot i kemi deklaruar problemet, kemi biseduar për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, për planet strategjike të veprimit që i ndërmarrim me Qeverinë dhe punëdhënësit në baza vjetore. Bëhet fjalë për rritjen e pagave. Para dy javëve kemi pasur rritje historike të pagave në arsim, por kemi diskutuar edhe për rritjen e pagave në shëndetësi, si dhe për masat ekonomike të Qeverisë. Jemi të kënaqur që falë këtyre masave ekonomike, shportës së vjeshtës dhe shkollore, inflacioni ka ngecur dhe është nga 0,5 në 0,6 për qind në dy muajt e fundit", tha Ralpovski. qa/
Foto: MIA