• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rute pret që funksionet në BE të shpërndahen sipas marrëveshjes së tre grupeve në PE

Rute pret që funksionet në BE të shpërndahen sipas marrëveshjes së tre grupeve në PE

Bruksel, 27 qershor 2024 (MIA) - Kryeministri holandez në shkuarje Mark Rute sot deklaroi se pret që marrëveshja e liderëve të BE-së për shpërndarjen e pozitave udhëheqëse të jetë ashtu siç janë dakorduar tre grupet politike në Parlamentin Evropian.

"Pres debate, por tri familjet politike centriste u dakorduan. Mendoj se marrëveshja do të jetë e tillë, por duhet të shohim", deklaroi Rute për gazetarët pas mbërritjes në samitin e liderëve të BE-së në Bruksel.

Ai shtoi se ishte krenar që u zgjodh Sekretar i ri i Përgjithshëm i NATO-s. Gjatë samitit të liderëve të BE-së në Bruksel, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së pritet të marrin vendim për ndarjen e pozitave drejtuese në institucionet evropiane pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Liderët e BE-së gjatë samitit duhet të vendosin se kush do të jetë kryetari i ri i Komisionit Evropian, kush do të udhëheqë Këshillin Evropian dhe kush do të trashëgojë spanjollin Zhozep Borrell si përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë.

Mbledhja vjen pasi negociatorët nga tre grupe në Parlamentin Evropian - Partia Popullore Evropiane, Social Demokratët dhe Liberalët - ranë dakord të emërojnë kryetaren aktuale të Komisionit Ursula fon der Lajen për një mandat të dytë, ish kryeministrin portugez Antonio Kosta për të qenë kryetar i Këshilli Evropian, dhe kryeministren e Estonisë, Kaja Kalas, për të marrë postin e kreut të diplomacisë evropiane. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR