Rusia dhe Ukraina dakorduan armëpushim në Detin e Zi
- – Rusia dhe Ukraina u morën vesh që t’i ndërpresin armiqësitë në Detin e Zi, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë, duke bërë të ditur hollësi nga bisedimet e mbajtura në Arabinë Saudite.
- Post By Fitore Curri
- 08:32, 26 mars, 2025

Riad, 26 mars 2025 (MIA) – Rusia dhe Ukraina u morën vesh që t’i ndërpresin armiqësitë në Detin e Zi, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë, duke bërë të ditur hollësi nga bisedimet e mbajtura në Arabinë Saudite.
SHBA-ja kumtoi se arritën marrëveshje të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë që të sigurohet lundrim i sigurt në Detin e Zi dhe të zbatohet ndalesë për sulme ndaj objekteve energjetike në të dyja vendet.
Të dyja vendet u pajtuan se “do të garantohet siguria e lundrimit në Detin e Zi, se do të përmbahen nga përdorimi i forcës dhe se do të parandalojnë përdorim të anijeve komerciale për caqe ushtarake”, njoftoi qeveria amerikane, e cila ndërmjetësonte në bisedime.
SHBA-ja, lidhur me Ukrainën, gjithashtu angazhohet se “do t’i mbështesin përpjekjet e drejtuara drejt shkëmbimit të të burgosurve, lirimin e civilëve dhe kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar me dhunë”.
Rusia, e cila për momentin është nën sanksione të shumta, mund të mbështesë në ndihmën e Shtëpisë së Bardhë kur bëhet fjalë për “qasjen ruse në tregun global për eksport të mbeturinave bujqësore dhe artificiale, uljen e shpenzimeve për sigurim detar dhe përmirësim të qasjes në porte dhe sistemet e pagesave për ato transaksione”.
Gjatë bisedimeve, SHBA-ja “përsëriti se presidenti Donald Tramp pa kushte dëshiron t’i japë fund humbjes së jetëve në të dyja anët”.
Uashingtoni “do të vazhdojë të organizojë bisedime mes të dyja palëve me qëllim që në fund të arrihet rezultat paqësor”, thuhet në publikim.
Administrata amerikane në kumtesë e falënderoi princin saudit të kurorës Mohamed bin Salman, në vendin e të cilit u mbajtën bisedimet.
Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov deklaroi se Kievi i mbështet të dyja marrëveshjet për armëpushim me Rusinë të cilat SHBA-ja i publikoi mbrëmë dhe se Ukraina do t’i përshëndeste edhe vendet e treta të cilat do ta mbikëqyrnin zbatimin e marrëveshjeve.
Në një publikim në X, Umerov shkroi se Ukraina do ta konsiderojë çdo lëvizje të anijeve të marinës ruse jashtë pjesës lindore të Detit të Zi si shkelje e marrëveshjes dhe se nëse ndodh një gjë e tillë, do të lejojë të drejtë të vetëmbrojtjes.
SHBA-ja të dielën dhe të hënën mbajti bisedime të ndara për luftën në Ukrainë me delegacione ukrainase dhe ruse në Arabinë Saudite. fc/
Foto: EPA