• e mërkurë, 01 prill 2026

Rubio: SHBA-ja është e kënaqur nga përparimi në Venezuelë, Kuba ka nevojë për reforma

Rubio: SHBA-ja është e kënaqur nga përparimi në Venezuelë, Kuba ka nevojë për reforma

Uashington, 1 prill, 2026 (MIA) - Sekretari amerikan i shtetit, Marko Rubio sot deklaroi se Uashingtoni është i kënaqur me përparimin e arritur në Venezuelë në tre muajt e fundit dhe përsëriti se plani i Shteteve të Bashkuara të Amerikës parashikon stabilizim të vendit, rimëkëmbje ekonomike dhe tranzicion politik me zgjedhje të lira. 

Rubio në intervistë për Foks njuz deklaroi se qëllimi i parë i strategjisë amerikane është stabilizimi i situatës në Venezuelë me qëllim parandalimin e migrimit masiv, luftës civile dhe trazirave në rrugë, duke deklaruar se një skenar i tillë nuk ka ndodhur deri më tani. 

Sipas tij, vendi tani është në një fazë të rimëkëmbjes ekonomike, gjatë së cilës, pohon ai, ekonomia po rimëkëmbet, ndërsa eksporti i naftës në rafineritë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po rritet.

Rubio tha se të ardhurat nga shitjet e naftës depozitohen në llogari nën kontrollin e Ministrisë së Financave të SHBA-së dhe përdoren në favor të popullit të Venezuelës. 

Ai shtoi se si pjesë e këtij procesi, qindra të burgosur politikë janë liruar dhe burgu famëkeq ku, sipas tij, mbaheshin kundërshtarët politikë të qeverisë është mbyllur.

Rubio tha se faza e ardhshme do të jetë tranzicioni politik, i cili duhet të çojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend. 

Duke folur për situatën në Kubë, Rubio vlerësoi se vendi është në një krizë të rëndë ekonomike dhe se ka nevojë për një proces të reformave ekonomike dhe politike.

Sipas tij, ekonomia kubaneze nuk po funksionon dhe vendi do të ketë vështirësi në zgjidhjen e problemeve të tij pa ndryshime në sistemin e qeverisjes, duke shtuar se së shpejti mund të ketë informacione të reja për politikën amerikane ndaj Kubës. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR