• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rreth 70 milionë denarë për humbjet e NPK “Tetovë”, këshilltarët e BDI-së lëshojnë seancën

Rreth 70 milionë denarë për humbjet e NPK “Tetovë”, këshilltarët e BDI-së lëshojnë seancën

Tetovë, 11 dhjetor 2024 (MIA) - Propozim vendimi për mbulimin e shpenzimeve financiare dhe humbjeve të Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) "Tetovë" ka qenë arsyeja për mosmarrëveshje politike në Këshillin e Komunës së Tetovës që ka rezultuar me ndërprerjen e seancës së sotme të grupit të këshilltarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI). 

Vërejtja e tyre ishte se në materialet e seancës nuk ka shpjegime të mjaftueshme për hap të tillë.

"Çdo vit premtoni se do të mbulohen humbjet e ndërmarrjeve komunale, asnjëherë nuk e keni mbajtur fjalën dhe keni marrë miliona euro", tha këshilltari Liridon Disha.

Kryetari i Komunës, Bilall Kasami kërkoi mbështetje për propozimin, por derisa ai po fliste këshilltarët e BDI-së lëshuan seancën.

"Me këtë vendim do t'u mundësojmë rreth 200 punëtorëve të marrin katër paga dhe kontribute për vitin 2024. Me këtë në vitin 2025 do të kenë të ardhura të rregullta", tha Kasami.

Këshilltari Ratko Davidovski tha se veprimi i BDI-së është një marketing politik.

"Ky vendim po politizohet dhe 90% e punonjësve janë njerëz të tyre. Ky është vetëm një vendim human për të ndihmuar punonjësit të marrin paga dhe kontribute", tha Davidovski. 

Pastaj Këshilli me shumicë votash miratoi dy vendimet.

"Kemi marrë vendim që shpenzimet e NPK 'Tetovë' t'i mbulojmë me 9 milionë denarë për bartjen e mbeturinave të mbetura nga stacioni i përkohshëm Tetovë në deponinë Rusino. Vendimi i dytë është mbulimi i humbjeve të NPK 'Tetovë' deri në 60 milionë denarë për katër paga dhe kontribute në vitin 2024", tha Naim Ismaili, kryetar i Këshillit. 

Këshilli i Komunës së Tetovës miratoi vendimin me të cilin qytetarëve si kompensim iu ndahet tokë shtetërore në dalje nga qyteti në drejtim të Saraqinës për shkak se ata dhanë tokë private për ndërtimin e objektit të ri të shkollës së mesme profesionale “Gjoce Stojçevski”. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR