• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rreth 30 autobusë qarkullojnë në Shkup, qytetarët të revoltuar, seanca të jashtëzakonshme të Qeverisë dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit

Rreth 30 autobusë qarkullojnë në Shkup, qytetarët të revoltuar, seanca të jashtëzakonshme të Qeverisë dhe të Këshillit të Qytetit të Shkupit

Shkup, 21 nëntor 2024 (MIA) – Në qarkullim në kryeqytet janë lëshuar rreth 30 autobusë të Ndërmarrjes Qarkulluese Publike prej të cilëve 25 janë në gaz natyror dhe edhe disa të cilët kanë rezerva të naftës, konfirmoi për MIA-n drejtori i NQP Shkup, Dragi Kushovski. 

Për shkak të problemit që u shkaktua me transportin publik urban, në Qeveri sot pasdite është caktuar mbledhje e jashtëzakonshme, ndërsa në orën 18 mbledhje të jashtëzakonshme do të mbajë edhe Këshilli i Qytetit të Shkupit. 

Nga Qyteti i Shkupit përgjegjësinë në lidhje me krizën që u shkaktua në Ndërmarrjen Qarkulluese Publike (NQP) e cila mbeti pa naftë, ia adresuan këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe drejtoreshës së Byrosë për Furnizime Publike për shkak të procedurës së pezulluar për furnizim të karburanteve për autobusët, ndërsa nga Byroja për Furnizime Publike njoftuan se NQP ka pranuar ofertë të papranueshme si më të favorshme. 

MIA kërkoi qëndrim edhe nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale prej ku theksuan se në mbledhjen e jashtëzakonshme në Qeveri do të shqyrtohen të gjitha mundësitë me qëllim që të gjenden zgjidhje adekuate për problemin aktual dhe se pastaj do të dalin me qëndrim. 

Kryetari i Sindikatës së Shoferëve në kuadër të Lidhjes së Sindikatave, Miqo Stojanovski sot në deklaratë për MIA-n tha se situata me naftën është problem që zgjat tashmë një periudhë më të gjatë. Sipas Stojanovskit, për kolapsin në NQP dhe në ndërmarrjet e tjera publike në qytet ka kontribuuar edhe mospajtimi mes kryesuesit të Këshillit të Qytetit të Shkupit dhe kryetares Danella Arsovska. 

“Byroja e Furnizimeve Publike ka pezulluar procedurën për blerjen e naftës nga Pucko Petrol. Është fakt që NQP i ka shumë borxh Pucko Petrolit, është fakt që Qeveria gjegjësisht Ministria e Arsimit i ka shumë borxh NQP-së dhe po të kompensoheshin ato mjete do të ishim të pastër si kompani. Nuk ka karburant, qarkullojnë vetëm autobusët me metan, rreth 25-30 dhe disa autobusë të cilëve u ka mbetur naftë. Një problem tjetër që nuk na hesht është se një numër më i madh i shkupjanëve e shohin NQP-në si fajtore për këto situata. Si sindikatë përfaqësuese dua t'u them se NQP është gjithmonë në anën e tyre dhe ne po mundohemi tu sigurojmë transport. Problem i madh për qytetarët dhe për NQP-në është edhe egoja në Këshillin e Qytetit të Shkupit, gjegjësisht kryetarit Trajko Sllaveski me grupin e këshilltarëve shumicë të VMRO-DPMNE-së dhe kryetaren Danella Arsovska kanë sjellë në këtë dëm total jo vetëm NQP-në, por edhe ndaj ndërmarrjeve të tjera publike. Edhe Higjiena Komunale nuk kishte karburant për automjetet e tyre për të mbledhur mbeturinat nëpër qytet”, thotë Stojanovski.

Thotë se edhe transportuesit privatë duhet të kthehen në rrugë sepse kërkesa e tyre për 120 denarë për kilometër të kaluar është joreale sepse kanë marrëveshje me Qytetin e Shkupit që vlen deri në maj të vitit 2025. 

“Kur mbanin greva në rrugët e qytetit, u pajtuan me kryetaren e Qytetit të Shkupit dhe morën çmimin prej 79 denarë për kilometër të kaluar. Ky vendim është i vlefshëm deri në mars të vitit 2025. Si nuk u vjen turp që të mos vozisin në rrugët e qytetit të Shkupit, madje edhe kur kanë vozitur, kur kanë parë se ka shumë njerëz, kanë vazhduar të lëvizin pa marrë udhëtarë sepse edhe nëse nuk kanë marrë udhëtarë, ata e dinin se 79 denarë për kilometër të kaluar i kishin të garantuara”, deklaroi Stojanovski.

MIA sot bëri edhe anketë me qytetarët të cilët prisnin autobus urban. Problemi, siç theksuan, ekziston tashmë disa ditë. 

“Nuk kam koment. Pres autobus deri në Qendër gati një orë. Përrallë e kujt është kjo, nuk e dimë”, tha qytetari i anketuar.

Banorja tjetër e Shkupit deklaroi se fajtori kryesor për situatën me transportin publik janë ata që gjenden në pushtet. 

“Në mëngjes u zgjova në orën 5 që të arrij në punë. U desh të paguaj taksi. Ku ekziston kjo? Një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Më vjen keq për fëmijët që vijnë pas nesh”, tha ajo. fc/

 Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR