Rinovohet salla e konferencave në SP Bit Pazar - përforcim i kapaciteteve të policisë përmes bashkëpunimit me OSBE-në
- Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uall, sot zyrtarisht e lëshuan në përdorim sallën e konferencave të rinovuar plotësisht në Stacionin Policor të Bit Pazarit.
- Post By Melahat Baftija
- 13:15, 19 mars, 2026
Shkup, 19 mars 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe ambasadori i Misionit të OSBE-së në Shkup, Kilian Uall, sot zyrtarisht e lëshuan në përdorim sallën e konferencave të rinovuar plotësisht në Stacionin Policor të Bit Pazarit.

Siç informojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme, rindërtimi i sallës është realizuar si një iniciativë e përbashkët midis MPB-së dhe Misionit të OSBE-së në Shkup, ku OSBE-ja siguroi pajisje dhe materiale, ndërsa Ministria i realizoi aktivitetet e ndërtimit.
Ministri Toshkovski theksoi se investimi në infrastrukturën policore është një investim i drejtpërdrejtë në efikasitetin dhe profesionalizmin e saj.

"Me këtë investim, ne po krijojmë kushte më të mira pune, trajnimi dhe koordinimi të nëpunësve policore. Kur institucionet kanë kapacitete moderne dhe funksionale, ato mund t'u përgjigjen më efektivisht nevojave të qytetarëve. Ky është një shembull tjetër se si kapacitetet institucionale forcohen përmes partneritetit dhe angazhimit të përbashkët", theksoi ministri Toshkovski.
Ambasadori Uall theksoi se kjo iniciativë është rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm dhe praktik midis dy institucioneve. “Ky rindërtim është një shembull i qartë i asaj që mund të arrihet kur institucionet punojnë së bashku me një qëllim të përbashkët.
Duke përmirësuar kushtet e punës, krijohet hapësirë për zhvillim profesional, trajnim dhe promovim të bashkëpunimit, gjë që kontribuon drejtpërdrejt në institucione më të forta dhe më efikase”, theksoi ambasadori Uall.

Salla e rinovuar e konferencave do të përdoret për trajnime, takime koordinuese dhe aktivitete të tjera zyrtare, duke kontribuar kështu në forcimin e kapaciteteve operative të stacionit të policisë dhe përmirësimin e funksionimit të përditshëm.
Ky projekt paraqet shembull konkret të bashkëpunimit të suksesshëm dhe angazhimit të përbashkët për të përmirësuar vazhdimisht kushtet e punës dhe standardet profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme. mb/
Foto: MPB