Rendi i ditës i seancës së 28-të parlamentare plotësohet me propozim- ligje për harmonizimin e Ligjit për organet e administratës shtetërore
- Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka filluar seancën e 28-të me konstatimin e rendit të ditës e cila u plotësua me disa propozime të tjera nga Qeveria dhe nga deputetë të shumicës qeveritare, me procedurë të shkurtuar. Shumica e tyre janë propozim- ligje për harmonizim me Ligjin për organet e administratës shtetërore.
- Post By Fami Bajrami
- 12:43, 27 dhjetor, 2024
Shkup, 27 dhjetor 2024 (MIA) - Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka filluar seancën e 28-të me konstatimin e rendit të ditës e cila u plotësua me disa propozime të tjera nga Qeveria dhe nga deputetë të shumicës qeveritare, me procedurë të shkurtuar. Shumica e tyre janë propozim- ligje për harmonizim me Ligjin për organet e administratës shtetërore.
Me vërejtje procedurale ndaj kësaj ka reaguar deputeti Oliver Spasovski, koordinator i Grupit parlamentar të LSDM-së sipas të cilit po “rrënohet demokracia parlamentare” dhe është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit që deputetët "për momentin" të marrin pikat e rendit të ditës.
"Jemi njoftuar nga shërbimet parlamentare dhe në një moment futen në rendin e ditës. Nuk ka asnjë fjalë të vetme në Rregulloren që mund të arsyetojë veprimet e tilla", ka reaguar Spasovski duke shtuar se me këtë po suspendohet "plotësisht debati në Kuvend".
Nuk e kam të qartë, tha ai, se si ministrat dhe zëvendësit e tyre të mos kenë njohuri se harmonizimin duhet ta bëjnë deri më 31 dhjetor.
"Nëse mendoni se nuk duhet të kemi debate në Parlament, atëherë të mos shpenzojmë para, kohë dhe resurse. Shpikni një mënyrë tjetër për miratimin e ligjeve, duke iu referuar faktit se ka shumicë parlamentare dhe se kjo duhet të bëhet", tha Spasovski.
Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski u përgjigj se nevojitet harmonizim i Ligjit për organet e administratës shtetërore sepse “personat e caktuar juridik po e humbin statusin e personit juridik të shkallës së parë dhe bëhen pjesë e institucioneve të tjera”.
"Mendoj se është korrekte që Kuvendi t'i kryejë këto ndryshime me kohë dhe në procedurë urgjente në mënyrë që edhe ata të punësuar t'i realizojnë të ardhurat e tyre mujore dhe në thelb nuk ka ndryshime në tekstin dhe përmbajtjen apo mënyrën e organizimit", tha Milloshoski i cili pas konstatimit të rendit të ditës së seancës së 28-të dha pauzë deri në orën 13:30.
Foto: printskrin