• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rektori i UT-së, Zejneli në Konferencën Shkencore me temë “Roli i shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit dhe emancipimit kombëtar”

Rektori i UT-së, Zejneli në Konferencën Shkencore me temë “Roli i shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit dhe emancipimit kombëtar”

Shkup, 17 mars 2024 (MIA) - Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli mori pjesë në Konferencën Shkencore me temë “Roli i shkollës shqipe në ruajtjen e identitetit dhe emancipimit kombëtar”.

Konferenca, siç njoftoi Zyra për informim pranë UT-së, u organizua nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) “Naim Frashëri” në Aargau të Zvicrës.

Në këtë konferencë, ku morën pjesë edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, përfaqësues të Akademisë së Shkencës dhe Artit të Republikës së Kosovës, veprimtarë të çështjës kombëtare, përfaqësues të ambasadave dhe përfaqësues të jetës politike e më gjerë, Zejneli në fjalën e tij theksoi se veprimtaria patriotike e shqiptarëve në diasporë, sot më së miri përfaqësohet plot dinjitet prej shkollave shqipe.

Mësues, patriotë, atdhetarë, mbështetës të pakursyer të arsimit e kulturës kombëtare, prindër e nxënës, po japin një kontribut të jashtëzakonshëm për ruajtjen e gjuhës shqipe, nderimin e figurave të shquara të kombit shqiptar, kultivimin e traditave tona kombëtare dhe mbajtjen e pashkëputur të lidhjes shpirtërore e materiale me vendlindjen. Shkollat e gjuhës shqipe, në mërgatë janë themel i vazhdimësisë sonë historike, të cilat deri më sot janë krijuar me mbështetjen e shoqatave me numër të kufizuar nxënësish. Përpjekjet e mësuesve, prindërve e kontributorëve të mësimit shqip në diasporë duhet të kombinohen edhe më ndihmën e shtetit, ndaj shtetet tona duhet të shtojnë buxhetin për diasporën, të lidhen më fort më shqiptarët në mërgatë dhe të mbështesin pa kushte arsimin shqip.

“Mbështetja dhe hapja e shkollave shqipe është një mundësi më e mirë për integrim, apo edhe riintegrim në rastin e kthimit të mërgimtarëve në vendlindje. Janë të shumtë fëmijët shqiptarë që kanë shkuar në moshë fare të vogël, apo që kanë lindur në këto vende, pra, po rritet brezi i dytë. Për këtë arsye, mësimi i gjuhës shqipe, historisë dhe gjeografisë së trojeve shqiptare, si dhe trashëgimisë kulturore konsiderohen si bazë e forcimit të identitetit kombëtar shqiptar”, tha Rektori i UT-së, Zejneli.

Gjatë fjalës së tij, ai e risolli edhe një herë në kujtesë porosinë e shkrimtarit dhe politikanit të shquar Mit’hat Frashëri se “Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe”. Është e shenjtë dëshira dhe përkushtimi i mërgimtarëve për mësimin shqip. Për shqiptarët në mërgatë ashtu siç thoshte Eqrem Çabej “Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar”.

LAPSH në vazhdimësi organizon konferenca shkencore, tryeza bisedimi, debate, me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit dhe përhapjes së informacionit për popullsinë shqiptare në diasporë për organizimin e mësimit në gjuhën shqipe. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR