• e mërkurë, 01 prill 2026

Reagim nga këshilltari i ASH në Këshillin e Tetovës, Arlind Murtezani

Reagim nga këshilltari i ASH në Këshillin e Tetovës, Arlind Murtezani

Shkup, 27 mars 2026

Debati për “privatizimin e ujit”, që po zhvillohet këto ditë, duke e njohur mirë realitetin tonë politik, me shumë gjasë do të zgjasë derisa të gjithë të lodhen… dhe zakonisht pikërisht atëherë merren vendimet.

Për këtë arsye, sot nuk do t’i jap etiketa këtij projekti. Jo sepse nuk ka dilema, por sepse ende ka shumë gjëra që duhet të sqarohen.

Është e vërtetë që kemi probleme – si në furnizim, ashtu edhe në menaxhimin dhe inkasimin e faturave. Dhe po, është fakt që trendet evropiane po lëvizin drejt partneriteteve publiko-private.

Por edhe një fakt tjetër nuk duhet harruar.

Ne, si qytetarë, kemi kujtesë dhe përvojë të hidhur: nga energjia me EVN, te menaxhimi i mbeturinave me Saubermacher dhe deri te projekti i ndriçimit publik – gjithmonë na është thënë se do të bëhet më mirë… dhe pothuajse gjithmonë ka pasur diçka që nuk ka dalë siç është premtuar. Rezultati ka qenë i njëjtë: qytetarët paguajnë më shumë, ndërsa kontrolli publik zvogëlohet.

Prandaj, për mua thelbi nuk është te emërtimi i modelit, por te përmbajtja e tij.

Kur kjo çështje të vijë për votim në Këshill, nuk duhet të kemi më dilema “a është mirë apo keq”, por të kemi më pak pyetje dhe më shumë përgjigje konkrete, që të dimë saktësisht çfarë po votojmë dhe kujt po ia besojmë.

Sepse në fund, jo çdo gjë që kalon me shumicë është domosdoshmërish zgjidhje, disa vendime nuk kanë luksin të gabohen dy herë.

Dhe le të jetë e qartë: shumica nuk është alibi për të kaluar çdo vendim vetëm pse i ka numrat. Përgjegjësia politike nuk matet me vota, por me pasojat që lihen pas.

Arlind Murtezani, këshilltar i ASH në Tetovë

QËNDRONI TË LIDHUR