• e enjte, 26 dhjetor 2024

Reagim i MPJ-së në konferencën për shtyp të zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Miteva

Reagim i MPJ-së në konferencën për shtyp të zëdhënëses së VMRO-DPMNE-së, Miteva
Shkup, 17 prill 2023 

Është e çuditshme sjellja e VMRO-DPMNE-së opozitare, e cila ndonëse vetëdeklarohet si parti që i mbron vlerat konservatore, gjatë festimit të festave të Pashkëve, më konkretisht - të Shtunën e Madhe, apo Ditën e Heshtjes dhe Pushimit të Thellë, përmes përdorimit të gënjeshtrave dhe fakteve tërësisht të imagjinuara krijon tensione dhe ndarje etnike në shoqëri. 

Në shenjë respekti për bashkëqytetarët tanë, të cilët në këto ditë presin që të kenë paqe dhe qetësi për t'i shënuar me dinjitet festat e Pashkëve, MPJ-ja u përmbajt nga komentimi i sjelljeve të pahijshme të VMRO-DPMNE-së. Megjithatë, në interes të së vërtetës, na lejoni t'i demantojmë plotësisht informacionet për zbatimin e papërshtatshëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve gjatë takimeve dhe/ose konferencës për media me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Spanjës, José Manuel Albarez Bueno.

Zbatimi i Ligjit për Gjuhët në të gjitha ngjarjet e organizuara nga Ministria e Punëve të Jashtme, të cilat, meqë ra fjala, janë të shpeshta, publike dhe të shumta, zbatohet gjithmonë si duhet. Në çdo ngjarje, Ministri i drejtohet publikut vendas në dy gjuhët zyrtare të përcaktuara me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjuhët, me ç'rast Ministria ofron përkthim të duhur për mediat e pranishme.

Rikujtojmë se përdorimi i gjuhëve zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut është një çështje e rregulluar me ligj, ku është përcaktuar saktësisht përdorimi i gjuhëve zyrtare të vendit dhe duhet të zbatohet në përputhje me rrethanat, pa qenë subjekt i kalkulimeve politike.

Duke pasur parasysh se ngjarjet dhe konferencat për media janë çështje publike, i bëjmë thirrje VMRO-DPMNE-së që t'i mbështesë pretendimet me ndonjë provë, regjistrim apo incizim; në të kundërt të tregojnë respekt për vlerat që përfaqësojnë dhe të kërkojnë falje publike për krijimin e panevojshëm të konfuzionit në opinion mbi baza etnike.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Maqedonisë së Veriut

_________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR