• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rashiq kundërshton Kurtin për urën e Ibrit: Është e paarsyeshme të rrezikohet progresi në veri të Kosovës

Rashiq kundërshton Kurtin për urën e Ibrit: Është e paarsyeshme të rrezikohet progresi në veri të Kosovës

Prishtinë, 6 shtator 2024 (MIA) - Ministri për bashkësi dhe kthimin në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është shprehur kundër hapjes së urës mbi lumin Ibër e cila e ndan qytetin e Mitrovicës në një pjesë jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe një pjesë veriore me shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Ky qëndrim i Rashiqit është krejt i kundërt me atë të shefit të tij, kryeministrit Albin Kurti i cili tash e disa javë ka deklaruar se Ura e Ibrit duhet të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Rashiqi tha se nuk e sheh të arsyeshme që me hapjen e Urës së Ibrit të rrezikohet progresi në zhvillimin e institucioneve në veri.

“Nuk e shoh të arsyeshme që të rrezikohet ky progres në zhvillimin e institucioneve, progres në integrim të ndoshta, një pjese të serbëve në veri, por integrim domethënës, jo improvizim të integrimit siç kemi pasur”, tha ai për Klan Kosovën.

Ai tutje foli edhe për paralajmërimin për bllokimin e pikave kufitare me Kosovën nga ana e serbëve të Serbisë, duke thënë se kjo s’ka asnjë kuptim.

“Një gjë që s’ka kurrfarë kuptimi sepse në fund të fundit, më së shumti do të jenë të dëmtuar qytetarët serbë të Kosovës”, tha Rashiq. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR