Raporti i KE-së: Qytetarët e vendeve të treta përforcojnë tregun e punës në BE
- Tregu i punës i BE-së në vitin 2023 mbeti i fortë megjithë ngadalësimin ekonomik, papunësinë historikisht të ulët dhe 5.5 milionë vende të reja pune të krijuara që nga viti 2019, kryesisht falë shtetasve të vendeve të treta jo të BE-së, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për situatën në tregjet e punës dhe pagat në Evropë për vitin 2024.
- Post By Sara Ademi
- 12:31, 20 dhjetor, 2024
Bruksel, 20 dhjetor 2024 (MIA) - Tregu i punës i BE-së në vitin 2023 mbeti i fortë megjithë ngadalësimin ekonomik, papunësinë historikisht të ulët dhe 5.5 milionë vende të reja pune të krijuara që nga viti 2019, kryesisht falë shtetasve të vendeve të treta jo të BE-së, thuhet në Raportin e Komisionit Evropian për situatën në tregjet e punës dhe pagat në Evropë për vitin 2024.
Sipas raportit, zhvillimet e favorshme në tregun e punës mundësojnë përmirësimin e përputhshmërisë mes numrit të punëkërkuesve dhe vendeve të lira të punës.
Në raport thuhet gjithashtu se në vitin 2023, pagat reale të qytetarëve evropianë filluan të rriten sërish, pas rënies së tyre të shkaktuar nga pandemia kovid, inflacioni dhe kriza energjetike dhe ekonomike e nisur nga pushtimi rus në Ukrainë.
"Amvisëritë me të ardhura më të ulëta ishin mbrojtur më mirë, kryesisht për shkak të rritjeve të konsiderueshme të pagave minimale ligjore që ndihmuan në zbutjen e ndikimit të inflacionit të lartë në fuqinë blerëse të personave me paga të ulëta", thuhet në raport.
Dokumenti thekson se të dhëna të tilla tregojnë rëndësinë e rregullave të reja të pagës minimale në BE, të cilat u prezantuan për të forcuar drejtësinë sociale në Union dhe për ta bërë ekonominë evropiane më gjithëpërfshirëse, pavarësisht nga mosha dhe gjinia.
Sipas Raportit, rregullat e reja "rrisin mundësitë e punëtorëve të moshuar për të qëndruar më gjatë në punë", kështu që parashikohet që deri në vitin 2030 të ketë 8.8 milionë punëtorë shtesë të moshës 55-68 vjeç në BE.
Kjo rritje e numrit të punëtorëve të moshuar është pjesërisht rezultat i reformave të fundit të pensioneve në disa vende anëtare të BE-së, duke përfshirë rritjen e moshës për pension.
Disa grupe specifike të punëtorëve të moshuar mbeten të nënpërfaqësuar në tregun e punës, kështu që përfshirja e tyre më e madhe në fuqinë punëtore aktive do të ishte e mundur përmes masave të synuara mbështetëse, thuhet në raport.
Megjithatë, sipas dokumentit, produktiviteti i ulët, mungesa në rritje e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe të trajnuar profesionalisht dhe tendenca e plakjes së popullsisë mund të "minojnë" në terma afatgjatë ndryshimet aktuale pozitive në tregun e punës dhe konkurrencën afatgjatë të BE-së.
Është pikërisht reduktimi i produktivitetit të punës, numri i pamjaftueshëm i punëtorëve të kualifikuar dhe plakja e popullsisë që vihen në dukje si rreziqe për aftësinë e BE-së për të konkurruar në nivel global, për të ruajtur rritjen e saj ekonomike, për të krijuar vende të reja pune dhe për të përmirësuar standardin e jetesës së qytetarëve të saj. sa/
Foto: KE