• e enjte, 18 korrik 2024

Raporti i Departamentit të Shtetit: Autoritetet maqedonase të angazhohen më shumë në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore

Raporti i Departamentit të Shtetit: Autoritetet maqedonase të angazhohen më shumë në parandalimin e trafikimit të qenieve njerëzore
Uashington, 20 korrik 2022 (MIA) - Autoriteteve në Maqedoninë e Veriut, Shtetet e Bashkuara u rekomandojnë kryerjen e hetimeve më të rrepta, përndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve të dyshuar të qenieve njerëzore, si dhe mospërjashtimin e zyrtarëve të dyshuar për bashkëpunim. Sipas Raportit të këtij viti për Parandalimin e Trafikimit me Njerëz, i cili u publikua mbrëmë nga departamenti amerikan i shtetit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit të qenieve njerëzore, por po bën përpjekje të konsiderueshme në këtë drejtim. Sipas këtij raporti, Maqedonia e Veriut është në nivelin e dytë së bashku me tetëdhjetë vende të botës, ndër të cilat janë Shqipëria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Italia. Për krahasim, në nivelin e sipërm numër 1, janë SHBA-ja, Kanadaja, Franca, Finlanda, ku përpjekjet për të parandaluar trafikimin e qenieve njerëzore janë dukshëm më të larta. Në raportin e vitit 2021, thuhet se autoritetet maqedonase kanë ndërmarrë përpjekje për zgjidhjen gjyqësore të disa rasteve dhe kanë zhvilluar një qasje që është e orientuar drejt mbrojtjes posttraumatike të viktimave dhe fëmijëve nga trafikimi i qenieve njerëzore. Megjithatë, ai shtoi se standardet në disa fusha kyçe nuk ishin përmbushur. “Numri i akuzave ndaj trafikantëve të qenieve njerëzore është ulur, ndërkohë që policia ende përballet me mungesë të fondeve dhe pajisjeve të mjaftueshme për të kryer hetime proactive”, thuhet në një pjesë të raportit. Në tekst shtohet se Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk kishte burime të mjaftueshme, personel dhe kapacitete të menaxhimit digjital për t'u marrë me të gjitha rastet nën juridiksionin e saj. Kritikë është bërë edhe për financimin e pamjaftueshëm për ekipet e nevojshme policore. Në dokument, autoriteteve maqedonase u rekomandohet të kryejnë hetime më të rrepta, të ndjekin penalisht dhe të dënojnë të dyshuarit për trafikim të qenieve njerëzore, si dhe të mos anashkalojnë zyrtarët që dyshohen për bashkëpunim. Departamenti i Shtetit rekomandon dënime më të ashpra dhe më të gjata me burg. Një pjesë e rekomandimeve përfshin nevojën për të ndarë më shumë para për sigurimin e burimeve të nevojshme për policinë dhe hetuesit, me qëllim që të mundësohet zbulimi dhe parandalimi më efikas i trafikimit të qenieve njerëzore. Departamenti i Shtetit, ndër të tjera, rekomandon më shumë fonde për të ndihmuar viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, trajnimin e ekipeve të specializuara të punonjësve socialë, legjislacion më efektiv ligjor, sigurimin e qendrave të mbrojtjes, si dhe ndihmë juridike për viktimat. Për sa i përket rasteve të regjistruara, në vitin 2021 janë identifikuar 48 viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, që është shumë më tepër në krahasim me vitin e kaluar, 2020, kur u regjistruan shtatë viktima. Nga ata 48 persona, dyzet ishin të ekspozuar ndaj punës së detyruar, dy persona u detyruan në shërbime seksuale, dy për shërbime seksuale dhe punë të detyruar. Katër nga rastet e zbuluara ishin viktima të punës së detyruar përmes martesës së detyruar. Prej tyre, 36 ishin gra. Sipas analizave të pesë viteve të fundit, gratë dhe vajzat viktima të trafikimit të qenieve njerëzore detyroheshin në shërbime seksuale dhe punë të detyruar në restorante, bare dhe klube nate në vend. Disa nga këto gra dhe vajza u transportuan edhe në vendet e Evropës Perëndimore, ku u detyruan në punë fizike dhe shërbime seksuale. Raporti përmend edhe raste nga komuniteti rom. Thuhet se tregtarët, të cilët zakonisht janë të afërm apo të njohur të afërt të familjeve, i shfrytëzojnë fëmijët duke i detyruar të lypin, por edhe të ofrojnë shërbime seksuale përmes martesave të detyruara.

QËNDRONI TË LIDHUR