• e diel, 24 nëntor 2024

Randeva për MIA-n: Ky është rast i parë i arrestimit të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut për kontrabandë me emigrantë

Randeva për MIA-n: Ky është rast i parë i arrestimit të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut për kontrabandë me emigrantë
Sofje, 28 gusht 2022 (MIA) - Ky është rast i parë që një shtetas i Maqedonisë së Veriut të arrestohet për transport ilegal të emigrantëve, deklaroi për MIA-n zëdhënësja e Administratës rajonale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Bullgarisë në Burgas, Cvetelina Randeva, duke komentuar arrestimin e sotëm të shoferit 60-vjeçar nga vendi i dyshuar për kontrabandë me emigrantë nga Afganistani. “Deri tani ka pasur qytetarë nga shumë vende të tjera të cilët janë marrë me kontrabandë me emigrantë, por nuk ka pasur shtetas të Maqedonisë”, ka shtuar Randeva. Ajo deklaroi se shtetasi maqedonas i arrestuar është identifikuar si Zoran Kamilov dhe sipas të dhënave nga letërnjoftimi i tij ai është 60 vjeç dhe është nga Gjevgjelia. Ai mbahet nga ana e policisë bullgare në paraburgim 24 orësh dhe pas kalimit të këtij afati pritet që Prokuroria publike në Burgas t'ia zgjasë paraburgimin edhe për 72 orë tjera. Hetimi për rastin tashmë ka filluar, ndërsa gjykimi do të mund të përfundojë deri në fund të javës së ardhshme. Sipas burimeve nga korrespondenti i MIA-s në Sofje, shtetasi maqedonas i arrestuar me kamionin me targa të Shkupit ka hyrë në Bullgari nga Turqia përmes njërit prej dy vendkalimeve në kufirin bullgaro-turk "Kapitan Andreevo" ose "Lesovo". Gjatë arrestimit ai ka deklaruar se me të nuk kanë kontaktuar kontrabandues të emigrantëve, por se i ka marrë afganët pasi i kanë premtuar se do ta paguajnë për transportin. Siç njoftoi pak më parë korrespondenti i MIA-s nga Sofja, shtetasi maqedonas është arrestuar pasi policia në qytetin bullgar Burgas në kamionin që ka drejtuar ai zbuloi të paktën 88 bura nga Afganistani. Ata kanë qenë në bagazhin e kamionit në zonën Debelt, nga ku kamioni është drejtuar në Burgas ku më pas është ndaluar nga patrulla e policisë. Kamioni është ndaluar rreth orës 06:45 sipas kohës lokale (05:45 sipas kohës tonë). Aksioni policor ka pasuar pasi policia mori informacion se në kamionin në Debelt janë ngarkuar emigrantë me çka nëpunësit policor e kanë ndaluar të njëjtin në Burgas. Afganët gjatë natës ilegalisht e kanë kaluar kufirin bullgaro-turk dhe herët në mëngjes kanë hipur në kamionin me targa të Shkupit.

QËNDRONI TË LIDHUR