• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Rama të dielën do të mbajë tubim në Athinë

Rama të dielën do të mbajë tubim në Athinë

Athinë, 9 maj 2024 (MIA) – Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të dielën do të mbajë tubim në Athinë, gjegjësisht takim me shqiptarët që jetojnë në metropolin grek në kuadër të turneut të tij në disa vende evropiane, ndërsa ministri grek i Punëve të Jashtme komentoi se vizita është në një kohë të papërshtatshme, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Në lidhje me vizitën në Athinë, e cila siç shkruante vetë kryeministri i Shqipërisë në platformën X, nuk ka të bëjë me punët e brendshme të Greqisë apo zgjedhjet europiane, zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët sqaroi se pardje janë njoftuar zyrtarisht për vizitën e Ramës, por jo për vendin ku do të zhvillohet ngjarja.

Sipas mediave në Greqi, me shumë gjasa pasditen e sotme është arritur një marrëveshje që takimi të zhvillohet në një sallë të mbyllur sportive.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Jorgos Gerapetritis në intervistë për radion greke "Skaj" këtë mëngjes komentoi se bëhet fjalë për një vizitë private dhe jo një vizitë që vjen me ftesë të qeverisë greke, pa asnjë formalitet dhe gjithçka që lidhet me organizatën është nën juridiksionin e palës shqiptare.

Vizita e Ramës në Athinë është në një kohë kur marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë janë ftohur për shkak të rastit me kryebashkiakun e dënuar të Himarës, Fredi Beleri, i cili edhe pse ndodhet në burg në Shqipëri, është një nga 42 kandidatët për deputetë në Parlamentin Evropian nga radhët e partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR