• e diel, 24 nëntor 2024

Rama: Sjellja e Kurtit nuk çon drejt qëllimit, qasja e Prishtinës i ndihmon Beogradit

Rama: Sjellja e Kurtit nuk çon drejt qëllimit, qasja e Prishtinës i ndihmon Beogradit

Nju-Jork, 22 shtator 2023 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me akuzat e Qeverisë së Kosovës ndaj përfaqësuesit të posaçëm për dialog mes Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak tha se këto janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, duke cekur se rrugën që e ka zgjedhur Albin Kurti nuk është rruga drejt qëllimit.

Në intervistë për Ej-Bi-Si Njuz, Rama deklaroi se qasja e Prishtinës i ndihmon Serbinë, pasi, sipas tij, viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë, transmeton Kosova onlajn.

"Reagimi i para disa ditëve i kryeministrit Albin Kurti ishte i paprecedentë dhe unik. Nuk më kujtohet një rast të tillë të ngjashëm, që një përfaqësues i lartë i Kosovës të akuzojë drejtpërdrejtë përfaqësuesin e BE-së dhe të thotë se i ka dërguar letër ankesë zyrtare kryeministrit Sholc dhe presidentit Makron. Këto janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE-së, nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë", tha Rama.

Ai potencoi se nuk dyshon në dëshirën e Kurtit që ta bëjë më të mirën për Kosovën, por asnjëherë nuk janë të mjaftueshme dëshira dhe vullneti i madh, duhet qartësi strategjike, për të arritur qëllimin, gjë që Rama këtu nuk e sheh.

Në deklaratën se duket pak paradoksale që Shqipëria presidente e Këshilit të Sigurimit, është e pafuqishme për të ndikuar tek Prishtina, Rama përgjigjet se nuk dëshiron të ndikojë tek Prishtina, pasi aty ka Qeveri që buron nga vullneti i popullit të Kosovës dhe që ka përgjegjësinë për ta udhëhequr Kosovën dhe për të zgjedhur rrugën për të arritur tek një qëllim.

"Konkluzioni është se mendojmë se rruga që e ka zgjedhur nuk çon drejt arritjes së atij qëllimi, po përkundrazi çon në një kurs përplasjeje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, pra me miqtë, me aleatët me partnerët, në vend se të çojë tek realizimi i këtij qëllimi të përbashkët. Kjo është e trishtueshme, por unë kam besim se kjo është e përkohshme", tha Rama.

Për të, është e sigurtë se kjo nuk e sjell rezultatin e dëshiruar, rezultatin për Kosovën, e ai është përfundimi i procesit të normalizimit, e pastaj dalja nga "qorrsokaku i njohjes", para së gjithash mes vendeve të BE-së.

"Ky është qëllimi i planit francezo-gjerman dhe kjo duhej të jetë arritja më e madhe e mundur, që do të ishte de fakto njohje nga Serbia, pa dallim nëse Serbia formalisht do ta njoh Kosovën apo jo. Kosova do të merrte vendin e vet, do të çlirohej nga ngarkesa e konfliktit në vazhdimin e procesit eurointegrues. BE-ja insiston në procesin e normalizimit, pasi dëshiron ta integrojë Kosovën në tërë strukturën e organizatës ndërkombëtare, gjë që ansjëherë nuk do të ndodh nëse Kosova nuk e zgjidh këtë problem", tha Rama.

Në pyetjen nëse Serbia po përfiton nga kjo situatë, kryeministri shqiptar thotë se është për të ardhur keq se qasja e Prishtinës po i ndihmon Serbisë, nuk po ndihmon Kosovën, sepse po viktimizon Serbinë në sytë e gjithë bashkësisë ndërkombëtare. 

"Dëgjova Vuçiç që tha do shkojë në Graçanicë pa leje, reagon Sveçla dhe thotë nëse vjen pa leje do arrestohet. Nuk është se serbët janë engjëj, edhe ata po e përdorin këtë situatë. Serbia luan një teatër, të cilin ia jep mundësinë ta luajë, politika dritë shkurtër e Prishtinës", tha Rama.

Në pyetjen nëse u bisedua për pavarësinë e Kosovës me presidentin ukrainas, Vollodimir Zelenski, ai u përgjigjh se rruga deri te njohja e Kosovës kalon përmes Prishtinës.

"Padyshim, biseduam për atë me presidentin Zelenski dhe për këtë në çdo kohë biseduam me çdo lider, i cili e përfaqëson vendin që nuk e ka njohur Kosovën, por nga ana tjetër, ne jemi shumë të qartë dhe të bindur se rruga drejt njohjes përfundimtare të Kosovës nuk çon përmes Ukrainës apso Ganës, Nigerisë, por kalon përmes vet Prishtinës, e cila duhet të mundohet deri në fund, ta shfrytëzojë rrugën e hapur të mundësisë së madhe të krijuar nga plani francezo-hgjeran, me përkrahje të aleatëve. Prishtina është ajo që duhet të kuptojë se nuk e shfrytëzon këtë bazë të miqësisë, por e minon me qasje që unë nuk e kuptoj", tha Rama.

Ai vlerësoi se janë të kota tentimet e Serbisë dhe Rusisë që sërish të hapet çështja për Kosovën në Kombet e Bashkuara.

Kosova e ka fituar luftën, tha ai, ndërsa Gjykata ndërkombëtare e ka konfirmuar këtë.

"Ato janë përpjekje të kota, propaganduese, por nuk çojnë askund. Kosova e ka fituar luftën, Kosova ka marrë konfirmim edhe nga vet Gjykata ndërkombpëtare dhe kjo është e pakthyeshme. Poenta është se Kosova nuk është aftë të veprojë në paqe, ta shndërrojë paqen në të mirë që duhet ndërkombëtarisht të konfirmohet dhe zhvillohet në të gjitha drejtimet", tha Rama në intervistë për Ej-Bi-Si njuz. bsh/

Foto: arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR