• e premte, 27 dhjetor 2024

Rama: Pranojeni propozimin, sepse nuk do të ketë tjetër

Rama: Pranojeni propozimin, sepse nuk do të ketë tjetër
Shkup, 3 korrik 2022 (MIA)- Shkupi duhet ta pranojë propozimin për zhbllokim të eurointegrimeve, të shfrytëzojë shansin dhe nuk guxon të lejojë të mbetet para dyerve të BE-së edhe 17 vite, thekson kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. “Ju them pranojeni, sepse nuk do të ketë propozim tjetër. Është final. Nuk duhet të qëndroni para dyerve të BE-së për 17 vjet të tjera. Dera duhet të hapet dhe kështu do të mund të debatohen të gjitha çështjet përmes dialogut midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Hapeni këtë derë, hapeni tani”, tha Rama në intervistën për Kanal 5. Sipas tij, tani është koha për të bërë një zgjedhje dhe ndjenja e tij, siç tha ai, “flet se do të jetë një gabim i madh nëse nuk pranohet propozimi, sepse vendi do të lihet anësh dhe askush nuk do të ketë vullnet të rikthehet në të dhe prandaj propozimi nuk duhet të refuzohet. “Shikoni, unë e kam ndjekur plotësisht punën e vështirë që është bërë, veçanërisht në Madrid për të kënaqur shqetësimet e palës nga Maqedonia e Veriut dhe mund t'ju them se presidenti Makron e vuri gjithë forcën e tij në 48 orë, ditë e natë dhe falë lidhjes sime të mirë me të, por edhe falë Bujar Osmanit i cili ka qenë i jashtëzakonshëm në durimin, rezistencën dhe kokëfortësinë e tij. Propozimi i ri është përfundimtar, doemos të kuptoni që është përfundimtar dhe besoj fuqishëm se është koha e duhur dhe është absolutisht e drejtë të pranohet dhe të hapet kjo derë”, tha Rama. I pyetur nëse do të ishte në vendin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe popullit maqedonas i cili ende e mban mend rolin negativ të ushtrisë bullgare në Luftën e Dytë Botërore dhe të gjitha mohimet e identitetit maqedonas, do ta pranonte propozimin francez, Rama tha se ka qenë shumë i zëshëm kundër sjelljes bullgare dhe e konsideron të turpshme. “Por njëherësh është fakt se Bullgaria është anëtare e BE-së dhe Unioni ka mënyra për përballje me çështjet që është transformuar në kuptimin e kidnapimit të shteteve në interes të një ose një shteti tjetër anëtar, dhe në një farë mënyre është vënë në dyshim edhe fryma e zgjerimit. Por ky është realiteti”, tha madje kryeministri shqiptar. Rama theksoi se mbetet 100 për qind në kritikat e shprehura ndaj BE-së, por shton se në këtë rast drejtuesit e Unionit nuk mund të bënin shumë, sepse i tillë është mekanizmi aktual vendimmarrës. “Ata ishe peng i Bullgarisë, si ne, por për ne kjo është më e dhimbshme. Çështjet biletarale nuk duhet të qëndrojnë në rrugën evropiane. Ndihem keq kur çështjet bilaterale si historia bëhen çështje politike dhe politika nuk është ajo që duhet t’i zgjidhë. Sa më shumë që këto çështje udhëhiqen nga politika, aq më të ndërlikuara bëhen. Megjithatë kjo është çështje që duhet ta zgjidhni ju dhe nuk është e imja të them çfarë është dhe çfarë nuk është në rregull”, u shpreh Rama. Ai theksoi se Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së, nëse Shkupi refuzon propozimin francez.    

QËNDRONI TË LIDHUR