• e premte, 17 prill 2026

Rama pas takimit me Melonin: Asnjë Qeveri e Italisë nuk ka pasur kaq shumë bashkëpunim me ne si kjo nën udhëheqjen e Melonit

Rama pas takimit me Melonin: Asnjë Qeveri e Italisë nuk ka pasur kaq shumë bashkëpunim me ne si kjo nën udhëheqjen e Melonit

Tiranë, 16 prill 2026 (MIA) - Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Romë, një takim i rëndësishëm në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Italisë, ku u prit me nderime të plota shtetërore nga homologia e tij, Xhorxha Meloni, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve ATSH.

Në momentin e mirëseardhjes, Rama tërhoqi sërish vëmendjen me gjestin e tij të veçantë, duke u gjunjëzuar para Melonit.

Kryeministri theksoi në një reagim në rrjetet sociale se, të gjitha qeveritë e Italisë në 35 vitet e fundit kanë qenë posaçërisht dashamirëse ndaj Shqipërisë, por asnjë qeveri italiane nuk ka vënë në lëvizje një program kaq të ngjeshur bashkëpunimi strategjik me Shqipërinë, sa qeveria e Melonit.

Rama nënvizoi se, afrimi i mëtejshëm me Italinë përmes projekteve të mëdha e konkrete sjell më shumë zhvillim e siguri për Shqipërinë.

Fokusi i takimit ishte ecuria e bashkëpunimit mes dy vendeve, thellimi i marrëdhënieve mes tyre, si dhe çështjet me interes të përbashkët rajonal dhe evropian.

Ky takim mes dy kryeministrave, vjen pas samitit të parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri që u mbajt në Romë në nëntor të vitit 2025 ku u nënshkruan 16 marrëveshje bashkëpunimi.

Ndërkaq, në vijim të vizitës në Itali, Rama pritet të takojë edhe ministrin e Mbrojtjes, Guido Kroseto.

Pas Romës, Rama do të udhëtojë drejt Barcelonës në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë.

Po ashtu, Rama do të marrë pjesë me ftesë të kryeministrit Pedro Sançez, në punimet e mbledhjes së katërt të Samitit “Në Mbrojtje të Demokracisë”, që zhvillohet në Barcelonë, Spanjë.

Punimet e samitit do të përqendrohen në tema kyçe si “Institucionet dhe multilaterizmi” si edhe “Dezinformimi dhe teknologjia digjitale”, ku një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet rregullimit të mjedisit dixhital për të luftuar dezinformimin, forcimit te institucioneve demokratike dhe multilateralizmit, si dhe luftës ndaj pabarazive si themel për një demokraci të fortë.

Në kuadër të Samitit, kryeministri Rama do të zhvillojë edhe takime bilaterale me kryeministrin Sançez, kryetarin e Këshillit Evropian, Antonio Koshta. mb/

Foto: printskrin FB i Ramës

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR