• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Rama: Kurti nuk fiton duke bërë si Don Kishoti

Rama: Kurti nuk fiton duke bërë si Don Kishoti

Tiranë, 1 korrik 2023 (MIA) - Kryeministri Edi Rama për Euronjuz Albania deklaroi se nuk arrin ta mirëkuptojë Albin Kurtin në situatën e krijuar me Kosovën në raport me ndërkombëtarët.

Ai tha se plani franko-gjerman nuk mund të qëndrojë aty për gjithë jetën dhe kryeministri i Kosovës nuk mund ta fitojë këtë betejë diplomatike vetëm si Don Kishot.

“Albini është një person të cilin unë e çmoj, një mik që e respektoj, por në këtë rast është kryeministri i Kosovës, të cilin unë nuk e mirëkuptoj”, u shpreh Rama, i cili theksoi se bëhet fjalë për interesin e kombit shqiptar dhe qëndrimi i tij është tejet demokratik.

Sipas tij, Kurti, Qeveria e Kosovës, policia dhe gjithë autoritetet duhet të kapen fort për t’ia dalë që të hedhin hapin e madh të çlirimit përfundimtar nga hija e mosnjohjeve dhe t’ia dalin që mbi të gjitha të normalizojnë marrëdhëniet me Serbinë.

“Pasi ka arritur në këtë pikë, pasi e ka futur Serbinë në një kuadrat të ngushtë, bashkësia euroatlantike nuk arrin dot as ta kuptojë, as ta justifikojë dhe as ta tolerojë sjelljen e autoriteteve të Kosovës dhe qasjen e kryeministrit, Albinit, që është një sjellje sikur kjo tjetra të mos ekzistonte, sikur të ishim kushedi sa vite para dhe sikur gjithë ky proces të mos kishte ndodhur", tha ai.

Rama nuk mund të kuptojë pse autoritetet e Kosovës janë kundër.

"Në ndërkohë kur ne kemi të gjithë bashkësinë euroatlantike të gatshme që ta shtrëngojë Serbinë, që të pranojë më në fund, në mos njohjen formale, të pranojë heqjen dorë de fakto nga Kosova dhe hapjen e rrugës për njohjen e të gjithë të tjerëve që detyrimisht pastaj do të çojë në njohjen formale të Serbisë, është e pashpjegueshme se çfarë kërkojnë autoritetet e Kosovës që i kundërvihen këtij procesi”, u shpreh Rama.

Sipas tij, kjo pengesë në rrugën e procesit, në mënyrë të pavetëdijshme po ndihmon lojën e Kremlinit. bsh/

Foto: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR