• e enjte, 18 korrik 2024

Rajoni po bëhet një trajektore e rëndësishme për transportin e gazit natyror drejt Evropës

Rajoni po bëhet një trajektore e rëndësishme për transportin e gazit natyror drejt Evropës

Shkup, 1 mars 2023 (MIA) – Agresioni rus në Ukrainë formalisht e ndryshoi hartën e furnizimit të Evropës me gaz natyror dhe i ndryshoi trajektoret për transport, për shkak të të cilave sasi të mëdha tani do të transportohen nëpër rajonin tonë, porositi drejtori i REN Bajram Rexhepi në panelin “Rrugët e reja rajonale të energjisë” në kuadër të Forumit Ekonomik “Shkup”.

Ai theksoi se gjatë vitit të kaluar janë mbajtur disa forume energjetike ku pyetja kryesore ishte nëse Evropa do të mund të mbijetonte pa gazin rus, ndërsa këtë vit, siç tha ai, përgjigja është po, ne jemi ende gjallë dhe mbijetuam pa gazin rus.

"Pas fillimit të luftës në Ukrainë, mësuam se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal, diversifikimi i furnizimit me gaz dhe diversifikimi i rrugëve të furnizimit, si dhe sa do të thotë ndërlidhja rajonale dhe ndërtimi i projekteve të reja të ndërlidhjes. Viti i kaluar ishte një periudhë shumë kritike për vendin tonë, sepse ne ishim shumë të varur nga gazi rus dhe kishim vetëm një ndërlidhje me Bullgarinë me një kapacitet vjetor prej 800 mijë metra kub. Ne hodhëm një hap shumë të mirë me Bulgartransgas dhe nënshkruam një marrëveshje për të rritur kapacitetin e gazsjellësit me 200 mijë metra kub të rinj. Në këtë mënyrë e kemi liberalizuar tregun e gazit dhe gazi ynë nuk vjen më vetëm nga Rusia, por shfrytëzojmë edhe rrugë të tjera furnizimi", tha Rexhepi.

Ai bëri të ditur se planifikohet të zgjerohet rrjeti primar i gazsjellësit deri në kufirin grek dhe të ndërlidhet vendi me Greqinë, Serbinë dhe Kosovën, si dhe të ndërtohet një interkoneksion tjetër me Bullgarinë në shtrirjen nga Petriç deri në Strumicë.

Ndërtimi i interkonjektorit me Greqinë, shtoi ai, planifikohet të fillojë në mesin e vitit dhe të ketë një kapacitet prej 2.8 miliardë metra kub. Këtë vit do të përfundojë studimi për fizibilitetin e interkonektorit me Kosovën, jemi në fazë të avancuar të procedurës për ndërtimin e interkonektorit me Serbinë dhe në fund vitin e ardhshëm do të aplikojmë për mjete për realizimin e tij.

"Me ndërtimin e interkonjektorit, Serbia planifikon të transportojë gaz përmes rrjetit tonë dhe të furnizojë vendet e tjera të Evropës. Jemi të interesuar të ndërtojmë një ndërlidhje të dytë me Bulgartransgas nga Petriç në Strumicë. Këtë vit do të fillojmë studimin e fizibilitetit dhe testimin e tregut, si dhe jemi të interesuar që të lidhim rrjetin tonë nga Strumica në Negotinë. Jemi drejt fundit të negociatave me aksionerët në Aleksandropolis dhe në tremujorin e dytë të këtij viti planifikojmë të përfundojmë të gjitha procedurat dhe të blejmë 10 për qind të aksionit në terminalin LNG. Ne jemi shumë të interesuar edhe për kapacitetet e të vetmes depo rajonale të gazit në Çiren të Bullgarisë", theksoi Rexhepi.

Nëse realizohen projektet, theksoi ai, do të mundësohet transportimi i gazit përmes vendit drejt vendeve fqinje, por edhe më gjerë.

Fernando Kaligas, drejtori i çështjeve të korporatave të operatorit grek të transmetimit të gazit DESFA tha se ata planifikojnë të trefishojnë kapacitetin e tyre të transportit të gazit deri në vitin 2025 dhe shtoi se pas luftës në Ukrainë, drejtimi i transportit të gazit ka ndryshuar nga jugu në veri, në vend anasjelltas.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR