• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Radevi: Pres që përfundimisht të zgjidhen çështjet e hapura

Radevi: Pres që përfundimisht të zgjidhen çështjet e hapura

 Shkup, 13 shtator 2024 (MIA) - Bullgaria gjithmonë ka qenë  e hapur për dialog me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe pres që ky dialog të kontribuojë në afrimin tonë kulturor, por edhe të inkurajojë bashkëpunimin ekonomik. Presim që Maqedonia e Veriut t'i përmbushë të gjitha obligimet edhe ndaj nesh dhe ndaj Bashkimit Evropian, deklaroi sot presidenti i Bullgarisë Rumen Radevi para takimit me presidenten e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova, e cila është për vizitë zyrtare në Bullgari.

 Sipas Radevit, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka  lënë retorikën  zgjedhore.

"Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ende nuk e ka lënë retorikën zgjedhore. Nevojitet të kthehemi në realitet, marrëdhëniet tona do të varen nga marrëveshjet e lidhura", tha Radevi.

 Ai potencon se angazhimi i lidershipit të Maqedonisë së Veriut në lidhje me Korridorin 8 do të jetë një tregues i qartë i ambicieve të vërteta evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për lidhje më të madhe në rajon.

 "Pres që dëshira e shprehur për dialog dhe mirëkuptim nga ana e presidentes Siljanovska Davkova të mbetet si politikë konsistente e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Ne në mënyrë rigoroze do ta ndjekim protokollin. Është koha edhe për vizitën time zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut", theksoi Radevi.

 Në pyetjen nëse tashmë ka një ftesë të tillë, Radevi u përgjigj se në lidhje me këtë çështje do të bisedojë me presidenten e Maqedonisë së Veriut.

 Foto: BTA

 

QËNDRONI TË LIDHUR