• e premte, 27 dhjetor 2024

Qyteti i Shkupit: Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së më shumë se dy vjet nuk votojnë për furnizimin e autobusëve të rinj për transportin publik

Qyteti i Shkupit: Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së  më shumë se dy vjet nuk votojnë për furnizimin e autobusëve të rinj për transportin publik

Shkup, 9 korrik 2024 (MIA) - Qyteti i Shkupit informon se Propozim-vendimi për autobusët e rinj ekologjik në transportin publik, është dorëzuar te këshilltarët e VMRO-DPMNE-së për seancën e Këshillit i cili duhet të mbahet javën e ardhshme.

Në kumtesën e Qytetit të Shkupit citohet se këshilltarët nga radhët e VMRO-DPMNE-së qeveritare, të cilët janë shumicë në Këshill, më shumë se dy vjet nuk votojnë për furnizimin e autobusëve të rinj për transportin publik.

"Për seancën e Këshillit më 16 korrik të vitit 2024, për të 21-tën herë është dorëzuar propozim-vendimi për autobusë të rinj ekologjik te këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, të cilët më shumë se dy vjet nuk votojnë për autobusë të rinj, edhe pse kanë shumicë në Këshillin e Qytetit të Shkupit. Sipas ligjit, kryetari i qytetit nuk mund të marrë vendim për furnizimin e autobusëve të rinj.  Përgjegjësi të vetme për mungesën e autobusëve në transportin publik kanë këshilltarët e VMRO-DPMNE-së, nga të cilët si pushtet dhe shumicë në Qytetin e Shkupit, varet nëse do të ketë autobusë të rinj ekologjik dhe transport më të mirë", citojnë nga Qyteti i Shkupit.

Në kumtesë citohet se kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, propozon që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së plotësisht ta kontrollojnë procesin e furnizimit të autobusëve.

"Këtë vendim mund ta marrin vetëm këshilltarët nga VMRO-DPMNE. Si demonstrim i dukshëm i pushtetit dhe arbitraritetit, në kundërshtim me rregulloren dhe statutin, kryetari i Këshillit, Trajko Sllaveski, në seancën e 19 qershorit 2024 në rendin e ditës për votim nuk e vuri pikën për autobusët e rinj.  Ndonëse për shkak të mungesës së autobusëve dhe defekteve, shkupjanët presin në stacionet e autobusëve për autobusë të rinj, VMRO-DPMNE nuk votojnë edhe pse ua kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet lokale të vitit 2021", njoftojnë nga Qyteti i Shkupit.

Ata shtojnë se sipas programit të partisë në pushtet, i cili u prezantua në zgjedhjet lokale të vitit 2021, thuhet se deri në fund të mandatit do të dorëzojnë 250 autobusë. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR