• e diel, 24 nëntor 2024

Quçuk: Pa reformat Maqedonia e Veriut nuk mund t'i fillojë bisedimet me BE-në

Quçuk: Pa reformat Maqedonia e Veriut nuk mund t'i fillojë bisedimet me BE-në

Sofje, 9 gusht 2023 (MIA) - Pa i zbatuar reformat e nevojshme, Republika e Maqedonisë së Veriut realisht nuk mund t'i fillojë bisedimet për anëtarësim në BE, thotë eurodeputeti bullgar dhe raportues për vendin tonë në Parlamentin Evropian dhe bashkëkryesues në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropë (ALDE), Ilhan Quçuk.

Ai në intervistën për BGNES nënvizon se pa ndryshimin e Kushtetutës, vendi nuk mund të fillojë të negociojë me BE-në. Njëherësh, paralajmëroi se nëse Shkupi nuk i bën këto ndryshime në të ardhmen e afërt, do të ndahet nga Shqipëria në rrugën drejt BE-së. Kështu, Maqedonia e Veriut, shton ai, do të mbetet në grup me Serbinë, Kosovën, Bosnjën e Hercegovinën - vende me probleme serioze me fqinjët e saj. 

"Nga ana tjetër është edhe sfida gjeopolitike, bashkë me atë, mundësia që Ukraina të fillojë realisht negociatat me BE-në, vend që ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim. Domethënë, zgjedhja është shumë e qartë - a dëshiron Republika e Maqedonisë së Veriut të vazhdojë rrugën e saj, duke reformuar marrëdhëniet shoqërore, apo do t'i bashkohet një grupi tjetër që nuk ka një udhërrëfyes të qartë për BE-në, thotë Quçuk, duke theksuar se vendimi është tërësisht në dorën e politikanëve në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut nuk ka unitet rreth qëllimit për hyrje në BE, por luhet me frikën e shoqërisë së Maqedonisë së Veriut. 

"Askush nuk vendos kushte shtesë (për Shkupin). Këto janë kushtet dhe të dyja palët kanë rënë dakord - Bullgaria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut. Këto kushte i votuan në Kuvendin e Bullgarisë, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Tani e tutje, këto marrëveshje duhet të përmbushen", thotë eurodeputeti Quçuk, i cili është bashkëkryesues i Aleancës së Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE). fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR