• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Qeveria: Shporta konsumatore e Vitit të Ri përfshin mbi 700 produkte

Qeveria: Shporta konsumatore e Vitit të Ri përfshin mbi 700 produkte

Shkup, 8 dhjetor 2024 (MIA) - Shporta konsumatore e Vitit të Ri me çmime të reduktuara po zgjerohet me produkte të reja ushqimore. Vetëm një javë pas zbatimit të fushatës "Më pak shpenzime, më shumë për ju - Ne kujdesemi", shporta konsumatore e Vitit të Ri me çmime të reduktuara prej të paktën 10 për qind po zgjerohet dhe përfshin mbi 700 produkte ushqimore, thuhet në kumtesën e shërbimi për shtyp të Qeverisë.

Qeveria, siç bëhet me dije, po merr masa me të cilat qytetarët më në fund marrin atë që meritojnë, kushte të mira jetese dhe kujdes të vërtetë për nevojat e tyre reale.

"Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve duhet të merret çmimi më i ulët nga muaji paraprak, domethënë nga 15 nëntori deri më 15 dhjetor dhe me atë çmim duhet të ketë të paktën 10 për qind ulje të produkteve. Lista e shportës së konsumatorëve për Vitin e Ri përfshin bukë dhe drithëra, produkte furre, mish dhe produkte mishi, peshk, qumësht dhe produkte qumështi, ëmbëlsira, fruta dhe perime të freskëta, të ngrira dhe të konservuara, pije joalkoolike (të gazuara dhe jo të gazuara), pije alkoolike (verë dhe birrë) dhe të tjera", thonë nga Qeveria.

Çdo produkt në raftet në markete, siç thuhet në kumtesë, do të shënohet në mënyrë të përshtatshme dhe lista do të ketë mundësi të zgjerohet edhe në periudhën e ardhshme.

"Masa do të jetë e vlefshme për një muaj, pra nga 15 dhjetori 2024 deri më 15 janar të vitit 2025. Njëkohësisht mirëpresim vendimin e kompanive që i bashkohen fushatës "Më pak shpenzime, më shumë për ju - Ne kujdesemi" dhe tregojnë përgjegjësi sociale dhe ftojmë të bashkohen edhe të tjerët", thuhet në kumtesë.

Qeveria, siç bëhet me dije, synon drejtpërdrejt përmirësimin e gjendjes ekonomike të mijëra familjeve dhe standardit të jetesës.

"Si Qeveri jemi angazhuar për të ndryshuar realitetin e keq dhe po bëjmë pikërisht këtë. Ne punojmë me përkushtim për qytetarët dhe zbatojmë masa që janë në interes të qytetarëve dhe kanë për qëllim sigurimin e një jete më cilësore. Ky është aplikimi i tretë i fushatës "Më pak shpenzime, më shumë për ju - Ne kujdesemi", dhe do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ne po rikthejmë shpresën dhe po ndërtojmë të ardhmen për të gjithë", thonë nga Qeveria. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s/Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR