• e shtunë, 23 nëntor 2024

Qeveria: SHBA direkt i porositi opozitës që ta mbështesë rrugën evropiane të vendit dhe amendamentet kushtetuese

Qeveria: SHBA direkt i porositi opozitës që ta mbështesë rrugën evropiane të vendit dhe amendamentet kushtetuese

Shkup, 15 maj 2023 (MIA) - Uashingtoni i ka thënë drejtpërdrejt opozitës që të mbështesë rrugën evropiane të shtetit, të mbështesë amendamentet kushtetuese dhe të mos bllokojë ligjet me rëndësi vendimtare për shtetin, bënë të ditur burime qeveritare, duke përmbledhur vizitën e delegacionit qeveritar amerikan.

Në SHBA, theksojnë burime qeveritare, kemi marrë një mbështetje të qartë dhe të fortë për vazhdimin e rrugës evropiane të vendit, që nënkupton zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, pra miratimin e amendamenteve dhe vazhdimin e negociatave të përcaktuara sipas kornizës së negociatave.

SHBA-ja përmes zyrtarëve të saj të lartë thekson mbështetjen që kemi për vazhdimin e rrugës evropiane, si dhe mbështetjen e padyshimtë për marrjen e këtyre vendimeve që i nevojiten Kuvendit tonë dhe ai mesazh ishte i drejtpërdrejtë edhe për opozitën - dallimet ideologjike nuk mund të jenë pengesë për përparimin e shtetit dhe për marrjen e vendimeve të rëndësishme për qytetarët, jo për partitë politike, e më së paku për liderët e tyre sepse karriera personale e dikujt është shumë më pak e rëndësishme se e ardhmja e shtetit", shtuan burimet qeveritare.

Nga aty shtojnë se procesi eurointegrues është proces i pakthyeshëm i cili ka filluar dhe askush nuk mund ta kthejë prapa, as të dërgohet në një tjetër drejtim.

"E vetmja gjë që mund të bëjë është ta ngadalësojë për interes personal, një ngadalësim të tillë e kemi pasur tashmë për 11 vjet, për të cilin kemi kuptuar se askush nuk ka pasur asnjë përfitim, më së paku ata që e kanë penguar procesin. Për këtë arsye ata shprehën shqetësimin për bllokadën që po bën opozita në Kuvend jo vetëm në këtë proces, por edhe në procese të tjera, shtojnë burimet qeveritare.

Sipas tyre kjo është hera e parë që bllokada  nuk vjen nga jashtë, por nga brenda, nga opozita, dhe kjo duhet thënë qartë sepse de fakto, është kundër të gjitha proceseve që e çojnë shtetin përpara dhe kjo, siç theksojnë, nuk është proces i një personi ose një partie, por janë vendime dhe procese nga të cilat varet e ardhmja e gjeneratave të tashme dhe të ardhshme.

Nga Qeveria njoftojnë se në VMRO-DPMNE ka individë, deputetë dhe përfaqësues të udhëheqësisë të cilët  nuk mendojnë si një pjesë e lidershipit aktual dhe të cilët duan që vendi ta vazhdojë rrugën drejt BE-së dhe ata individë, siç shtojnë, duhet të inkurajohen.

Ata shtojnë se VMRO-DPMNE-ja dhe partitë e tjera opozitare duhet të jenë pjesë e marrjes së këtij vendimi sepse të mos jesh pjesë e vendimeve të tilla është e padenjë për një parti politike, e cila, siç thonë ata, ekziston që nga dita e parë e pavarësisë së shtetit.

Nga aty, sqarojnë se nuk kanë diskutuar drejtpërdrejt me deputetët e opozitës, as se si të vendosin, por, thonë se është përgjegjësi e secilit individ që të marrë vendime në interes të qytetarëve. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR