• e enjte, 26 dhjetor 2024

Qeveria: Ndryshimet në LMP janë vetëm për projekte me interes strategjik dhe kombëtar, për një javë më të gjatë pune do të kërkohet pëlqim i punonjësit

Qeveria: Ndryshimet në LMP janë vetëm për projekte me interes strategjik dhe kombëtar, për një javë më të gjatë pune do të kërkohet pëlqim i punonjësit

Shkup, 11 prill 2023 (MIA) - Ndryshimet në Ligjin për marrëdhënie të punës, të cilat janë në procedurë parlamentare, i referohen vetëm projekteve me interes strategjik dhe nacional, e me to mundësohet opsioni për një javë më të gjatë pune dhe e dielë ditë pune ekskluzivisht për punë të tilla ndërtimore, për të cilat është dhënë pëlqimi me shkrim i vetë punëtorit, sqarojnë nga Qeveria për MIA-n në lidhje me Propozim-ndryshimet e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, të cilat janë pjesë e pakos së ligjeve që duhet të miratohen, ndërsa lidhen me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d.

"Ndryshimet në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës që janë para Kuvendit i referohen vetëm projekteve me interes strategjik dhe kombëtar dhe përfshijnë një zgjidhje me të cilën punëtorët e ndërtimit që punojnë në këtë lloj projekti do të marrin kompensim 50 për qind më shumë për çdo orë punë të dielën dh do të marrin kompensim për punë jashtë orarit në përputhje me Ligjin për Marrëdhëniet e Punës dhe Kontratën e Përgjithshme Kolektive për Sektorin Privat, për orët tjera jashtë orarit. Për të gjitha këto paraprakisht do të sigurohet pëlqimi me shkrim i vetë punonjësit", thuhet në përgjigjen nga Qeveria.

Synimi, thotë qeveria, është mbrojtja e të drejtave të punëtorëve dhe punëtoreve, duke mundësuar njëkohësisht realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme të infrastrukturës në historinë e vendit.

Qeveria mohon informacionet se parashikohen penalitete për shtetin, nëse nuk kalon në Kuvend pakoja e ligjeve për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10d.

"Sipas detyrimeve në kontratën e lidhur, kontraktori mund të punojë në kushte në të cilat vlejnë dispozitat ekzistuese të vendimeve ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D, por në atë rast afati i ekzekutimit do të ishte më i gjatë se pesë vjet. Në këtë rast, shteti do të ketë detyrimin për të paguar kostot e ndërtimit në vitet shtesë të punimeve të ndërtimit, të cilat në fund do t'i kushtojnë më shumë para shtetit dhe qytetarëve", sqaron Qeveria.

Nevoja për krijimin e një kuadri ligjor për ekzekutim të shpejtë, cilësor dhe ligjor të punimeve, siç theksohet nga Qeveria, u imponua për shkak se ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10 d është me rëndësi strategjike për vendin, themeluar me ligj të posaçëm të votuar nga deputetët në Kuvend.

"Ndërtimi në kohë i pjesëve të autostradave ka efekte pozitive ekonomike dhe sociale për qytetarët, kompanitë, qarkullimin e mallrave dhe shërbimeve, dhe mbi të gjitha do të thotë rritje e sigurisë për përdoruesit, reduktim i kohës së udhëtimit, ulje të numrit të aksidenteve në trafik dhe ruajtja e jetës së qytetarëve", shtojnë nga Qeveria.

Ndryshimet e propozuara në Ligjin për Marrëdhëniet e Punës janë pjesë e pakos së ligjeve që duhet të kalojnë në Kuvend dhe kanë të bëjnë me ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10e. Sot në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, si organ amë, filloi debati për Propozim-ndryshimet e Ligjit për Marrëdhëniet e Punës, ku opozita kërkon organizimin e një debati publik në të cilin do të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR