• e enjte, 26 dhjetor 2024

Qeveria me rekomandime për qytetarët dhe punëdhënësit pas paralajmërimeve për valë të re të të nxehtit

Qeveria me rekomandime për qytetarët dhe punëdhënësit pas paralajmërimeve për valë të re të të nxehtit

Shkup, 18 qershor 2024 (MIA) - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka dhënë rekomandime lidhur me valën e re të të nxehtit që nga nesër pritet të përfshijë të gjithë shtetin, pasi nga Instituti i Shëndetit Publik dhe alarmi i motit i Institutit për Çështje Hidrometeorologjike janë marrë informacione se nga nesër e deri më 23 qershor (e dielë), i gjithë territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të përfshihet nga vala e të nxehtit me fazë portokalli.

Në rekomandimet të cilat i miratoi Qeveria në mbledhjen e sotme për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, parashihet lirim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, gjegjësisht gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet, ndërsa në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët mos nxirren jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00.

Gjithashtu, Qeveria rekomandon njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar,  të pafuqishëm, të pastrehë.

Në kumtesën e sotme të Qeverisë shtohet se duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, rikujtohen punëdhënësit për detyrimin e  respektimit të rregulloreve ligjore të kësaj fushe. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR