• e enjte, 26 dhjetor 2024

Qeveria me një sërë masash do të rrisë numrin e udhëtarëve në aeroportet e Maqedonisë

Qeveria me një sërë masash do të rrisë numrin e udhëtarëve në aeroportet e Maqedonisë

Shkup, 29 gusht 2024 (MIA) - Qeveria me një sërë masash do të rrisë numrin e udhëtarëve në aeroportin e Shkupit dhe Ohrit gjatë vitit 2025. Me programin e ri që do të fillojë nga 1 janari 2025 dhe do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2027, parashihet një shumë vjetore prej 125 milionë denarë ose gjithsej 375 milionë denarë për mbështetje të trafikut ajror, ose një milion euro më shumë se sa ishte planifikuar, paralajmëroi sot zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski dhe shtoi se thirrja për transport ajror të subvencionuar do të shpallet javën e ardhshme.

"Në seancën e sotme të Qeverisë kemi miratuar disa masa që duhet të përmirësojnë seriozisht gjendjen me trafikun ajror. Seti i masave që do t'i marrim në vitin 2025 duhet t'i sjellë Maqedonisë 200 mijë udhëtarë më shumë se më parë dhe në vitet në vijim ai numër edhe të rritet", tha Nikoloski në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.

Ai theksoi se vendi i cili para 15 vitesh ishte lider në rajon në trafikun ajror, tani po përballet me ulje të numrit të fluturimeve, destinacioneve dhe numrit të pasagjerëve. Kjo, siç tha ai, është për shkak të faktorëve të shumtë për të cilët duhet të gjenden zgjidhje në periudhën e ardhshme.

„Për këtë qëllim janë duke u korrigjuar kushtet për kompanitë ajrore që do të merrnin pjesë në trafikun ajror. Ata duhet të kenë transportuar të paktën pesë milionë pasagjerë gjatë vitit 2023 dhe të kenë të paktën 10 milionë euro fitim në vitin 2023. Programi i ri gjithashtu heq kërkesën për funksionim të detyrueshëm të destinacionit pas përfundimit të periudhës së mbështetjes për aq kohë sa ishte paraparë mbështetja financiare, që është arsyeja kryesore pse u zvogëlua numri i udhëtarëve nga aeroportet e Ohrit dhe Shkupit. Po ashtu, më nuk do të subvencionohen linjat ajrore, por destinacionet, që do të thotë se thirrja do të jetë e hapur për të gjitha linjat ajrore që i plotësojnë kushtet për secilin destinacion të veçantë„, thekson Nikoloski.

Në këtë mënyrë, shtoi ai, zgjidhet problemi i varësisë nga një linjë ajrore, dhe pikërisht kjo është arsyeja e zvogëlimit të udhëtarëve nga aeroporti i Shkupit dhe Ohrit nga mbi 330 mijë pasagjerë këtë vit për shkak të problemit që ka "Вizer". me aероplanët e vet, që në asnjë mënyrë nuk ka lidhje me situatën në vend.

"Për të shmangur varësinë nga vetëm një linjë ajrore në të ardhmen, ne po vendosim subvencione sipas destinacionit. Po bëjmë një ndryshim tjetër të rëndësishëm. Deri më tani subvencionohej për pasagjer në nisje nga Maqedonia, ndërsa tani do të subvencionohet me mbërritje sepse qëllimi ynë është që të sjellim turistë në Maqedoni dhe t'u mundësojmë që të vijnë në mënyrë më të lehtë, më të shpejtë dhe më të lirë", tha Nikolloski.

Mbështetja është rritur nga shtatë euro për pasagjer të transportuar nga aeroporti i Shkupit në nëntë euro, ndërsa në Aeroportin e Ohrit në vend të 4,5 eurove si më parë do të ndahen 12 euro për pasagjer të transportuar.

"Destinacionet e reja mund të jenë edhe jashtë Bashkimit Evropian. Në këtë mënyrë, ne presim të tërheqim udhëtarë dhe turistë  edhe nga Lindja e Afërt dhe e Largët dhe destinacione të tjera. Për këtë arsye presim që në vitin e ardhshëm numri i udhëtarëve të rritet për së paku 200 mijë", theksoi Nikoloski dhe shtoi se deri më tani subvencionoheshin fluturime vetëm brenda aeroporteve që ndodhen në BE. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s dhe printskrin 

 

QËNDRONI TË LIDHUR