Qeveria inicon heqjen e shtetësisë së Onishçenkos
- Post By Fami Bajrami
- 18:07, 23 nëntor, 2022
Shkup, 23 nëntor 2022 (MIA)- Konform nenit 14 të Ligjit për shtetësinë, Qeveria sot ka kërkuar që të fillojnë aktivitetet për pezullimin e vendimit për marrjen e shtetësisë së Maqedonisë së Veriut për personin Oleksander Onishçenko, njofton shërbimi për shtyp i qeverisë.
"Qeveria e inicoi kërkesën për marrjen e nënshtetësisë së Onishçenkos, pas seancës së mbajtur të qeverisë në të cilën Agjencia për siguri kombëtare informoi për rastin, thuhet në komunikatë.
Shtetasi ukrainas Onishçenko, i cili është në "listën e zezë" të SHBA-së për shkak të lidhjeve të tij me autoritetet ruse, mori nënshtetësinë maqedonase si atlet i kuajve me sugjerimin e Federatës së kuajve. Vendimin për dhënien e nënshtetësisë maqedonase për Onishçenkon e ka marrë Qeveria, pasi ka marrë mendim pozitiv nga të gjitha institucionet kompetente.
Sipas njoftimeve të mëparshme, sot në seancë të mbyllur të Qeverisë është dashur të paraqesë raport për rastin e dhënies së shtetësisë maqedonase për Onishçenkos, drejtori i Agjencisë për siguri kombëtare, Viktor Dimovski,
Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje deklaroi se përgjegjësia për rastin duhet të vendoset. Ai përkujtoi se shtetësia është lëshuar në bazë të katër mendimeve pozitive të dorëzuara në një seancë të Qeverisë nga katër institucione të ndryshme.
Sipas Kovaçevskit, për rastin duhet të ketë përgjegjësi sepse është punë e analizës, përkatësisht e hetimit që tashmë është duke u bërë. Në ASK, sipas mediave, dy zyrtarë janë suspenduar për shkak të dështimit për të kontrolluar Onishçenkon. qa/mb/