Qeveria do të ndajë 20 milionë euro për ndërtimin e parkingut të ri nëntokësor te sheshi Skenderbeu, aktivitetet ndërtimore nga viti i ardhshëm
- Qeveria në seancën e sotme solli një vendim të ndajë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e parkingut të ri nëntokësor te sheshi Skenderbeu në Shkup, njoftoi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.
- Post By Sara Ademi
- 15:29, 26 nëntor, 2024
Shkup, 26 nëntor 2024 (MIA) - Qeveria në seancën e sotme solli një vendim të ndajë 20 milionë euro për financimin e projektit për ndërtimin e parkingut të ri nëntokësor te sheshi Skenderbeu në Shkup, njoftoi sot zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.
Parkingu i ri, siç tha në konferencën e sotme për media në Qeveri, do të ketë 371 vendparkime të sistemuara në dy kate nëntokësore me sipërfaqe të përgjithshme prej më shumë se 13.000 metra katrorë.
"Në garazhin nëntokësor do të sigurohen edhe vendparkime adekuate për personat me nevoja të veçanta. Me këtë investim plotësohet sheshi Skenderbeu dhe demonstrohet përkushtimi ynë drejt zgjidhjes së sfidave infrastrukturore me të cilat përballet kryeqyteti ynë, Çarshia e Vjetër e Shkupit, Komuna e Çairit dhe Komuna Qendër", tha Mexhiti.
Ai theksoi se ndërtimi i këtij parkingu është i një rëndësie të veçantë për çarshinë dhe për Çairin dhe do ta zgjidh problemin shumëvjeçar me mungesën e vendparkimeve në këtë pjesë të qytetit me të cilën pritet rritja e numrit të turistëve në Çarshinë e Vjetër.
"Në periudhën e ardhshme do të punojmë që projekti të realizohet sa më shpejtë dhe me cilësi të lartë. Do të sigurojmë transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e realizimit me qëllim që t'i arsyetojmë besimin dhe pritjet e qytetarëve", tha Mexhiti.
Në përgjigje të pyetjes tha se së shpejti do të shpallet tenderi për ndërtim dhe shtoi se pret që punët ndërtimore të nisin në fillim të vitit të ardhshëm. sa/
Foto. Printskrin