• e enjte, 26 dhjetor 2024

Qeveria dhe bankierët në takim do t'i precizojnë kushtet nën të cilat sektori i biznesit do të mund t'i shfrytëzojë paratë nga huaja hungareze

Qeveria dhe bankierët në takim do t'i precizojnë kushtet nën të cilat sektori i biznesit do të mund t'i shfrytëzojë paratë nga huaja hungareze

Shkup, 17 nëntor 2024 (MIA) – Kryeministri Hristian Mickoski dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska – Koçoska sot do të mbajnë takim me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë në të cilin duhet të saktësohen kushtet nën të cilat sektori i biznesit do të mund t’i shfrytëzojë 250 milionë eurot nga huaja hungareze. Ajo që deri më tani është dakorduar është se norma e interesit mbetet 3,25 për qind, e njëjta nën të cilën është marrë huaja. 

Sipas ministres së Financave, vetëm një bankë ka shprehur interesim se mund të marrë pjesë në subvencionimin e interesit dhe lidhur me kushtet për afatin e pagesës, por, siç thotë Dimitrieska – Koçoska, qëllimi i Qeverisë është që të përfshihen të gjitha bankat që klientët të mund ta marrin kredinë përmes bankës me të cilën punojnë. 

“Fjala është për normë interesi 3,25 për qind, domethënë këtu nuk do të ketë asnjë ndryshim. Kjo është norma e interesit me të cilën është marrë kredia nga Banka Hungareze e Eksport-Importit. Ne patëm një diskutim për këtë çështje dhe për atë që bankat nuk ranë dakord, që është të marrin pjesë në një farë mënyre në subvencionimin e interesit dhe të tregojnë përgjegjësi sociale dhe të ndajnë atë përgjegjësi sociale. Gjegjësisht, nuk po bëjmë asgjë më ndryshe se më parë, sepse që nga viti 2011 janë tërhequr 650 milionë euro nga linjat e ndryshme kreditore për të cilat shteti ka subvencionuar interesin”, tha Dimitrieska-Koçoska në intervistë për “360 gradë”.

Kryeministri Hristian Mickoski, të premten në një deklaratë për mediat tha se është me rëndësi që takimi me bankat të përfundojë me sukses dhe përfundimisht të fillojnë të shfrytëzohen mjetet nga huaja hungareze. 

Pret që bankat të tregojnë përgjegjësi shoqërore si në krizën e Kovidit dhe krizën energjetike. Në konferencë për media në Qeveri të martën pas nënshkrimit të marrëveshjeve për ndihmë shtetërore, kryeministri tha se pret që të gjithë bashkë të punojnë për ekonomi më të fortë. 

“Qëndrimi ynë është që të gjithë duhet të punojmë së bashku siç kemi bërë gjatë krizës së Kovidit apo krizës energjetike. Nëse mendojnë se nuk duhet të punojnë kështu, mirë, është vendimi i tyre, janë subjekte private, si Qeveri nuk mund të ndërhyjmë. Na takonte ne që të siguronim mjete për biznesin, çfarë mundëm, si Qeveri e bëmë. Pres që të gjithë ne të punojmë së bashku për një ekonomi më të fortë”, tha Mickoski.

Kryetari i Odës Ekonomike, Branko Azeski pret që do të gjendet zgjidhje në interes të biznesit. Bën thirrje që kjo të shkojë në pako me çështjen për kapitalizimin e Bankës së Maqedonisë për mbështetje të zhvillimit sepse një institucion i tillë i nevojitet biznesit. 

“Unë e ndjek procesin si të gjithë të interesuarit dhe e kam shprehur mendimin tim në një kolumnë. Ai mund të komentohet kështu dhe ashtu, por ne biznesmenët nuk mund të pajtohemi, domethënë të bashkëpunojmë në një situatë që ke para në llogari dhe nuk di çfarë të bësh me to. Pra, një ditë po të rrinë për ne është kohë e humbur. Mendoj se është koha që kjo çështje të zgjidhet dhe se edhe Qeveria edhe bankat kanë kapacitet që ta zgjidhin atë çështje dhe shpresojmë se do të jetë në interes të kompanive, sepse këto mjete janë të dedikuara për to”, tha Azeski në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve të mërkurën pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim me Transaperensi Interneshënëll – Maqedoni.

Në këtë mënyrë, shtoi, do të ndihmohet ekonomia që të tejkalohet periudha deri në fillimin e vitit të ardhshëm, kur kemi detyrim serioz për kthimin e obligacionit për të cilin janë rezervuar para dhe nuk do të ketë investime kapitale ose të tjera me rebalancin e buxhetit, por do të shfrytëzohen për zhvillimin e biznesit. 

Në kolumnën e tij më të re, Azeski, kërkoi paratë menjëherë të vendosen në funksion me çka, sipas tij, pushteti do t’i tregojë publikut dhe bashkësisë ndërkombëtare se krahas aftësisë për marrëveshje, ka edhe aftësi për mbështetje të biznesit. 

“Qëllimi i kryeministrit për të ndihmuar biznesin është i ndershëm si dhe përpjekjet e bankierëve për të mbrojtur të tyren. Por, e ndershme është kërkesa e biznesit, zbatim i menjëhershëm. Kjo do të mundësojë që së bashku me aktivitetet e tjera investuese të cilat i paralajmëron Qeveria e RMV-së dhe ato të planifikuara nga kompanitë, të sjellin një dozë optimizmi se gjërat po shkojnë drejt qëllimit të dëshiruar dhe kjo nënkupton rritje ekonomike më të madhe se 1,8%, që ishte mesatarja në periudhën e kaluar”, shkruan Azeski në kolumnën e tij.

Huanë hungareze prej gjysmë miliardë eurosh e dakorduan kryeministri Mickoski dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán gjatë Samitit të NATO-s në Uashington. Ligji për huanë hungareze u miratua në Kuvend më 17 shtator, ndërsa më 8 tetor në Budapest e nënshkroi marrëveshjen ministrja e Financave.

Kushtet në të cilat është marrë kredia, siç ka bërë të ditur disa herë deri më tani kryeministri, janë të favorshme – 3,25 për qind me grejs periudhë trevjeçare dhe afat shlyerjeje 12 vjet. Gjysma e parave janë të dedikuara për komunat për realizimin e projekteve kapitale, ndërsa gjysma për sektorin e biznesit. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR