• e premte, 27 dhjetor 2024

Qëndrime të kundërta dhe akuza në debatin e përgjithshëm për ribalancin, mbledhja vazhdon nesër

Qëndrime të kundërta dhe akuza në debatin e përgjithshëm për ribalancin, mbledhja vazhdon nesër
Shkup, 12 korrik 2022 (MIA) - Deputetët nga pushteti dhe opozita në pjesën e pasdites të mbledhjes së sotme të Kuvendit vazhduan me qëndrime të kundërta rreth ribalancit të Buxhetit, por paraqitën edhe një sërë akuzash ndaj njëri-tjetrit. LSDM përsëriti se ribalanci është kahëzuar drejt përballjes me krizën ekonomike, se do të mundësojë vazhdim të të gjitha masave për mbështetje, posaçërisht për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, si dhe se parasheh shkurtim të shpenzimeve joproduktive, në çka VMRO-DPMNE nuk njohu "debat të shëndoshë", siç tha njëri nga deputetët e saj, por përsëritje të ekspozesë së ministrit të Financave. "Ribalanci dëshmon se kjo Qeveri sjellë masa dhe politika për mbrojtje të qytetarëve, është adekuat dhe me kohë në raport me rrjedhat dhe ngjarjet globale dhe me të janë paraparë mjete për rikuperim të ekonomisë. Me të ulen edhe të gjitha shpenzimet joproduktive që tregon se Qeveria i locon të gjitha mjetet në kapitalin njerëzor. me ribalancin parashihet edhe rritje e numrit të të punësuarve prej 1,6 për qind që do të rezultojë me shkallë të ulur të papunësisë prej 14,5 për qind", theksoi Darko Kaevski nga LSDM i cili u bëri thirrje deputetëve ta votojnë ribalancin dhe me atë t'u ndihmojnë qytetarëve më lehtë t'i tejkalojnë pasojat nga kriza. Ndaj kësaj replikoi Bojan Stojanovski nga VMRO-DPMNE, duke kërkuar përgjigje në pyetjen se sa është inflacioni për momentin, sa është borxhi publik, sa do të shtrenjtohet rryma dhe për sa është shtrenjtuar prej se është LSDM-ja në pushtet, nëse çmimet e ushqimit do të rriten, nëse rrogat e humbin luftën me inflacionin, sa është përqindja e realizimit të investimeve kapitale dhe sa paraqet shporta sindikaliste. "Ky është buxhet që konfirmon se në shtet sundon fiaskoja ekonomike dhe shkatërrim-sistemi, se sërish asnjë gozhdë nuk do të ngulitet, se nuk do të ketë rroga dhe pensione më të larta. Dy unionet më të mëdha të sindikatave janë në greva, ndërsa kundër politikës suaj ekonomike janë edhe të gjitha odat, organizatat e punëdhënësve dhe sindikatat. Për 12 muaj në Kuvend sjellim katër dokumente me parashenjën buxhet apo ribalanc dhe në vjeshtë është paralajmëruar ribalanc i ri", tha Stojanovski. U paraqit Kaevski për kundër replikë, duke nënvizuar se Qeveria me masa konkrete tregoi se kujdeset për qytetarët. "Është gënjeshtër se nuk është pakësuar borxhi publik, është ulur për 3,7 për qind. Në raport me rrogat, kjo Qeveri tregoi se drejtpërdrejtë kujdeset për rritjen e tyre. Në kohë të VMRO-DPMNE-së shporta ishte 32 000 denarë me rrogë minimale prej 9 000 denarëve dhe mesatare prej 22 000 denarëve, ndërsa tani rroga minimale është 18 000 denarë, ndërsa mesatrja 31 000. Dakordohem se duhet të jetë më shumë, por duhet të kemi parasysh se po përballemi me një numër të madh krizash", përmendi Kaevski. Adnan Neziri nga Aleanca për shqiptarët vlerësoi se me ribalancin nuk pakësohen shpenzimet joproduktive, por pati edhe vërejtje për rritjen e të ardhurave sepse, siç tha, në një krizë të këtillë kjo nuk rekomandohet. "Të ardhurat kryesisht paguhen nga tatimet të cilat janë mjete të qytetarëve. Në kohë të inflacionit dhe shtrenjtimeve ky është planifikim që i lodhë qytetarët dhe nuk u lë mundësi të kenë mjete të lira. Sipas Qeverisë, ribalanci është racional dhe i ulë shpenzimet joproduktive, por të dhënat thonë se rritja prej 5,9 për qind nuk është parametër që tregon seriozitet dhe imponim të drejtpërdrejtë të deficitit - borxh që merret nga jashtë dhe duhet të kthehet që sërish në fund do të jetë në kurriz të qytetarëve", tha Neziri. Sipas tij, inflacioni nuk do të jetë në pajtim  me parashikimet qeveritare, por shumë më i madh dhe dyshifror, përderisa investimet kapitale nuk realizohen sepse nuk ka profesionistë të fushave. "Ka korrupsion ose afërsi të pushtetit, nuk ka profesionistë të cilët do t'i realizonin projektet si autostradat Shkup - Bllacë dhe Kërçovë - Ohër. Nuk ka siguri derisa policia, prokuroria dhe gjyqësia nuk mund të krijojnë ambient për investime, klimë për investim, ndërsa nuk zvogëlohet numri i të punësuarve në administratën publike", shtoi deputeti. Neziri akuzoi se nuk është duke u respektuar opozita që po shihet, tha, në mospranimin e amendamenteve të saj. Ndaj kësaj replikë bëri Zhaklina Llazarevska e LSDM-së. "Në ribalanc kemi miratuar amendamente edhe të opozitës, nuk është e vërtetë se nuk jemi duke e respektuar. 25 milionë denarë shtesë u shpërndanë, varësisht kërkesave në amendamente, për shëndetësi, mjedis jetësor, infrastrukturë", i tha Llazarevska - Nezirit. Ajo u përqendrua edhe në atë që qëndron në ribalanc, ndërsa Neziri nga foltorja nuk e ka thënë. "Nuk potencuat se në kohë të krizës globale kujdesemi për standard më të mirë dhe jetë më të mirë për qytetarët, se me ribalancin janë 4,7 miliardë denarë më shumë për masa të reja të targetuara për ndihmë financiare për ata që kanë më së shumti nevojë, se janë 1,9 miliardë denarë për punësime të reja që është rritje për 3,5 herë në raport me vitin 2016, 23 miliardë për komunat dhe shfrytëzimin racional të mjeteve buxhetore dhe kursimin - zvogëlohen mjetet për inventar për 171 milionë denarë dhe për blerjen e automjeteve të reja për 107 denarë. Konfirmim se jemi duke i kujdesur për qytetarët është edhe rritja e vazhdueshme e pagës neto për katër muaj të këtij viti u rrit për 10 për qind që tërësisht e mbulon rritjen e inflacionit në këtë periudhë. Mbi 90.000 të punësuar në sektorin publik morën ose do të marrin nga shtatori paga më të larta, ndërsa i kemi siguruar 68 miliardë denarë për pensione që është rritje për 33 për qind në raport me vitin 2017", tha deputetja e LSDM-së. Fjalën e mori Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE, sipas së cilit katër muaj Qeveria paralajmëron se do të ketë aranzhim dhe marrëveshje me FMN-në, por kjo nuk ka ndodhur akoma. Gjatë diskutimit një pjesë e deputetëve u përqendruan edhe në sferën sociale, si edhe në arsim. Debati i përgjithshëm për ribalancin e Buxhetit do të vazhdojë edhe nesër në orën 11. ab/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR