• e premte, 23 janar 2026

Putini u ka thënë Uitkofit dhe Kushnerit se nuk heqë dorë nga rajonet ukrainase

Putini u ka thënë Uitkofit dhe Kushnerit se nuk heqë dorë nga rajonet ukrainase

Moskë, 23 janar 2026 (MIA) - Rusia kumtoi se sot do të zhvillojë bisedime të sigurisë me SHBA-në dhe Ukrainën në Abu Dabi, duke paralajmëruar pas takimit të vonshëm të natës së kaluar të presidentit Vladimir Putin me diplomatët amerikanë se një paqe e qëndrueshme nuk do të jetë e mundur nëse nuk zgjidhen çështjet territoriale. 

Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Jurij Ushakov, deklaroi se takimi, i cili filloi pak para mesnatës dhe zgjati pothuajse katër orë, ishte i dobishëm dhe jashtëzakonisht i sinqertë.

Ai tha se admirali rus Igor Kostjukov do ta udhëheqë delegacionin rus në takimin në Abu Dabi, ndërsa i dërguari për bashkëpunim ekonomik, Kirill Dmitriev, do të zhvillojë  takim të veçantë për çështje ekonomike me Stiv Uitkof të dërguarin e presidentit Donald Tramp.

Megjithatë, në takim nuk u arrit ndonjë përparim i madh, transmetojnë mediat botërore.

"Më e rëndësishmja është se gjatë këtij takim mes presidentit tonë dhe amerikanëve u konfirmua sërish se, pa zgjidhjen e çështjes territoriale sipas formulës së rënë dakord në Ankorixh, nuk ka shpresë për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë", tha Ushakov, duke iu referuar samitit të vitit të kaluar mes Trampit dhe Putinit në Alaskë, në të cilin thuhet se është diskutuar për dorëzimin e rajoneve lindore ukrainase Doneck dhe Lugans, përfshirë edhe zonat që forcat ruse nuk i kanë pushtuar. 

 Putini theksoi se Rusia është "sinqerisht e interesuar" për një zgjidhje diplomatike", tha Ushakov. 

“Derisa kjo të arrihet, Rusia do të vazhdojë të bëjë përpjekje të vazhdueshme për realizimin e objektivave të operacionit special ushtarak. Kjo vlen veçanërisht për fushëbetejën, ku forcat ushtarake ruse kanë një avantazh strategjik,” theksoi këshilltari.

Të dyja palët diskutuan gjithashtu për propozimet e Trampit për Grenlandën dhe për Bordin e Paqes, tha Ushakov, duke shtuar se Rusia është e gatshme të dhurojë një miliard dollarë nga asetet e ngrira ruse në SHBA për Bordin e Trampit.

Këshilltari i Putinit tha gjithashtu se përfaqësuesit amerikanë ndanë me palën ruse përshtypjet e tyre nga takimi i presidentit amerikan Donald Tramp me liderin ukrainas Volodimir Zelenski në Davos, ku morën pjesë edhe Uitkof dhe Kushner.

Nga pala ruse në takim morën pjesë Putini, Ushakov dhe Dmitriev. 

Nga pala amerikane ishin Uitkof, Xhared Kushner dhe Xhosh Gruenbaum, të cilin presidenti Donald Tramp së fundmi e emëroi këshilltar të lartë në Bordin e Paqes. ls/ 

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR