Putini paralajmëron për rrezikun se sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë rajonal
- Presidenti rus Vladimir Putini sot ka biseduar me katër liderë kryesorë të vendeve të Gjirit Persik, duke paralajmëruar për rrezikun që sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë rajonal, raportoi Si-En-En-i.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 19:23, 2 mars, 2026
Moskë, 2 mars 2026 (MIA) - Presidenti rus Vladimir Putini sot ka biseduar me katër liderë kryesorë të vendeve të Gjirit Persik, duke paralajmëruar për rrezikun që sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit mund të përshkallëzohen në një konflikt më të gjerë rajonal, raportoi Si-En-En-i.
Pas bisedimeve me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman, Kremlini njoftoi se "të dyja palët shprehën shqetësim serioz për rrezikun real të zgjerimit të zonës së konfliktit, e cila tashmë ka përfshirë territoret e një numri vendesh arabe dhe po ka pasoja katastrofike".
Putini e theksoi nevojën për diplomaci për të zgjidhur një "situatë jashtëzakonisht të rrezikshme", ndërsa sipas Kremlinit, se princi i kurorës saudite ka porositur se Moska, falë marrëdhënieve të saj të mira me Iranin dhe vendet e Gjirit, mund të luajë një rol stabilizues.
Rusia vazhdimisht i dënon sulmet amerikane dhe izraelite dhe atentatin ndaj liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Hamnei. Putini ka folur edhe me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zajed Al Nahjan.
"Të dyja palët e theksuan nevojën për ndërprerjen e armiqësive dhe një kthim në procesin politik dhe diplomatik", bëri të ditur Kremlini.
Gjithashtu, Kremlini njoftoi se Putin dhe Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, në një bisedë telefonike, "shprehën shqetësimin për rrezikun e përhapjes së konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rrezikun e përfshirjes së vendeve të treta në të".
Presidenti rus foli edhe me mbretin e Bahreinit, thekson Kremlini.
Foto: Arkivi i MIA-s