• e premte, 27 dhjetor 2024

Putin: Rusia nuk do ta përsërisë gabimin e dobësimit të sovranitetit të saj

Putin: Rusia nuk do ta përsërisë gabimin e dobësimit të sovranitetit të saj
Moskë, 21 shtator 2022 (MIA) - Presidenti rus Vlladimir Putin mbajti një fjalim sot në përkujtimin e 1160-vjetorit të shtetësisë ruse, duke theksuar se do të ishte "e rrezikshme për Rusinë të dobësonte sovranitetin e saj", duke theksuar se "nuk do ta përsërisë atë gabim". "Në këto 1160 vjet ne kemi mësuar se është e rrezikshme për Rusinë të dobësojë sovranitetin e saj, qoftë edhe për një moment. Në ato periudha, vetë ekzistenca e Rusisë ishte e kërcënuar. Ne kurrë nuk do ta përsërisim atë gabim", tha Putin. "Ne nuk do të dorëzohemi para shantazheve dhe kërcënimeve dhe nuk do të komprometojmë kurrë sovranitetin tonë. Ne do ta forcojmë dhe zhvillojmë vendin tonë. Sovraniteti është garanci e lirisë së çdo njeriu, ashtu si traditat tona. Njerëzit nuk mund të ndjehen të lirë, vërtet të lirë, nëse Nëna Rusi nuk është e lirë", vazhdoi presidenti rus. Putin foli gjithashtu për "unitetin e njerëzve që përballen me një kërcënim". "Respekti për familjen, dashuria për fëmijët – ky është themeli i fortë i vlerave tona. Këto janë dhembshuria dhe dëshira për të kërkuar mirëqenie, jo vetëm për veten, por edhe për të gjithë Rusinë. Është gjithashtu uniteti i popullit përballë kërcënimeve ndaj miqve tanë dhe atdheut", tha Putin dhe në fund të fjalimit ai iu referua luftës në Ukrainë, të cilën Kremlini e quan një operacion ushtarak special. "Gjatë operacionit special ushtarak, heronjtë tanë, ushtarët dhe oficerët, vullnetarët tanë, të gjithë tregojnë vlerat më të larta njerëzore. Ata luftojnë me nder në vëllazëri për popullin e Donbasit", tha Putin, i cili theksoi se "të jesh patriot është vetë natyra e Rusisë". Më herët gjatë ditës së sotme, Putin njoftoi mobilizimin e pjesshëm të rezervistëve rusë dhe kërcënoi Perëndimin me përdorimin e armëve bërthamore. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR