Punonjës komunal në Tetovë kërkojnë pagesën e tre pagave dhe kontributeve për 14 muaj
- Njëzet punonjës nga njësia e punës "Parqe dhe Gjelbërime" pranë Ndërmarrjes komunale publike "Tetovë" sot qëndruan brenda ambienteve të tyre dhe nuk dolën në terren në shenjë revolte që nuk u janë paguar tre paga dhe kontributet për gjithsej 14 muaj.
- Post By Qefsere Abduli
- 12:38, 19 mars, 2025

Tetovë, 19 mars 2025 (MIA) - Njëzet punonjës nga njësia e punës "Parqe dhe Gjelbërime" pranë Ndërmarrjes komunale publike "Tetovë" sot qëndruan brenda ambienteve të tyre dhe nuk dolën në terren në shenjë revolte që nuk u janë paguar tre paga dhe kontributet për gjithsej 14 muaj.
Sipas këtyre punonjësve gjithsej 190 punonjës në NKP "Tetovë" ballafaqohen me të njejtën situatë, ndërsa përveç tyre janë departamentet për varrezat ortodokse, shërbimi i pastrimit të rrugëve dhe administrata.
"Nuk na është paguar paga për muajin dhjetor të vitit 2023, janar 2025 dhe shkurt 2025. Nuk na janë paguar kontributet nga muaji dhjetor 2023 deri, duke përfshirë nëntorin e vitit 2024, si dhe janarin e vitit 2025", informojnë punonjësit.
Sipas punëtorëve, ajo që në dhjetor të vitit 2024 ishte njoftuar nga Komuna e Tetovës se të gjitha pagat janë paguar nuk është e vërtetë. Këshilli i Komunës së Tetovës më 11 dhjetor 2024 solli vendim për mbulimin e humbjeve të NKP “Tetovë” në vlerë deri 60 milionë denarë për katër paga dhe kontribute në vitin 2024.
"Ne vijmë të punojmë, por nuk do të punojmë në terren derisa të paguhen të gjitha pagat. Na premtoi kryetari i komunës para Vitit të Ri se çdo gjë do të paguhet brenda janarit ose shkurtit, por po e përsëris, nuk ka rrogë për dhjetor të vitit 2023, janar 2025 dhe shkurt 2025 dhe 14 muaj kontribute të papaguara. Këtu jemi të gjithë punëtorë mbi 50 vjeç, jemi të gjithë me trajtim, kemi nevojë për rroga të rregullta. Të gjithë kemi kredi", tha njëri nga punonjësit.
Nga Komuna e Tetovës bëjnë të ditur se po bëhen përpjekje që deri në fund të javës të jepen dy paga. qa/
Foto: MIA