Punëtoria e Parlamentit të ri frankofon "Kam qëndrim!"
- Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt sot punëtoria e Parlamentit të Ri Frankofon "Kam qëndrim!", në të cilën nxënësit e shkollave të mesme debatuan për tre tema aktuale që lidhen me dhunën midis bashkëmoshatarëve, fenomenin e lajmeve të rreme, si dhe papunësinë e të rinjve, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Kuvendit, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
- Post By Qefsere Abduli
- 18:08, 6 mars, 2026
6 mars 2026
Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt sot punëtoria e Parlamentit të Ri Frankofon "Kam qëndrim!", në të cilën nxënësit e shkollave të mesme debatuan për tre tema aktuale që lidhen me dhunën midis bashkëmoshatarëve, fenomenin e lajmeve të rreme, si dhe papunësinë e të rinjve, thuhet në njoftimin e shërbimit për shtyp të Kuvendit, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.
Përmes simulimit të procesit të shqyrtimit të zgjidhjeve ligjore në Kuvend, nxënësit e shkollave të mesme nga Shkupi, Negotina, Manastiri, Tetova dhe Kumanova debatuan për temat konkrete në frëngjisht, duke kontribuar kështu në promovimin më të madh të gjuhës dhe kulturës franceze dhe përfaqësimin e saj më të madh në jetën socio-politike të vendit.
Punëtoria u moderua nga kryetarja e Seksionit të Kuvendit të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, deputetja Ivanka Vasilevska, ndërsa fjalime përshëndetëse mbajtën: Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut; Kristof Le Rigoler, ambasador i Republikës së Francës në vendin tonë, si dhe Kristof Zomer, ambasador i Zvicrës në vendin tonë.
Kryetari Gashi, në fjalimin e tij, theksoi se ky aktivitet i Parlamentit të Ri Frankofon është me rëndësi të jashtëzakonshme, sepse përmes respektimit dhe kultivimit të gjuhës frënge, krijohet mundësia për të ndërtuar ura miqësie. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë krijohen të rinj me mendim kritik dhe qëndrim ndaj çështjeve dhe temave kryesore nga të cilët varet zhvillimi dhe përparimi ynë i mëtejshëm. Ai theksoi se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, si anëtare e asociuar e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, i kultivon vlerat e Frankofonisë.
Kryetarja e Seksionit, deputetja Ivanka Vasilevska, theksoi se si njeri që vjen nga arsimi i lartë dhe që punon me studentë dhe të rinj në baza ditore, është veçanërisht e kënaqur që nxënës të shkollave të mesme nga disa qytete janë të pranishëm në Kuvend, me dëshirën jo vetëm për të paraqitur njohuritë e tyre për gjuhën frënge, por edhe për të debatuar mbi tema shumë të rëndësishme.
Lidhur me Seksionin, ajo informoi se përveç pjesëmarrjes së rregullt në një numër të madh ngjarjesh ndërkombëtare, Seksioni, së bashku me ambasadorin francez, viziton klasa dygjuhëshe në shkollat e mesme në vend me qëllim shkëmbimin e mendimeve me nxënësit dhe mësuesit rreth punës së këtyre klasave.
Ambasadori i Republikës së Francës në vend, Kristof Le Rigoler, shprehu mirënjohje ndaj Kuvendit për krijimin e kësaj tradite, por edhe mirënjohje ndaj nxënësve dhe mësuesve të tyre për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, dhe theksoi se kontributi për një shoqëri të shëndetshme demokratike reflektohet përmes kapacitetit individual për të pranuar mendime të ndryshme.
Ambasadori zviceran Kristof Zomer, në fjalimin e tij, shtoi se gjuha frënge është pjesë integrale e identitetit të Zvicrës, është gjuhë zyrtare e Konfederatës së bashku me italishten dhe gjermanishten. Ai shtoi se identiteti i Zvicrës ndërtohet përmes këtij diversiteti, i cili është baza për stabilitet, kohezion kombëtar dhe paqe.
Në punëtori morën pjesë edhe disa nga deputetët e Kuvendit, Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit, Marina Dimovska, ambasadorja e Republikës së Greqisë në vend, Sofia Filipidu, Veronika Ciolka, zëvendësambasadorja e Rumanisë, si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Pas përfundimit të punëtorisë, nxënësit morën certifikata përkatëse nga Kuvendi si mirënjohje e punës dhe aktivitetit të tyre.
Foto: Kuvendi