Publikohet protokolli i sigurisë dhe drejtime për njoftim etik nga varrimi i viktimave nga Koçani
- Qeveria, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), si dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), kanë përgatitur një protokoll sigurie gjatë raportimit për varrimin e viktimave të ngjarjes tragjike të 16 marsit në Koçan.
- Post By Melahat Baftija
- 19:10, 19 mars, 2025

Shkup, 19 mars 2025 (MIA) - Qeveria, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) dhe në konsultim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), si dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë (SPGPM), kanë përgatitur një protokoll sigurie gjatë raportimit për varrimin e viktimave të ngjarjes tragjike të 16 marsit në Koçan.
Për përfaqësuesit e mediave që do të raportojnë për ngjarjen, pjesëtarët e policisë do të sigurojnë një zonë të veçantë nga rruga e kortezhit, në një distancë prej 300 metrash nga hyrja e kapelës deri te varrezat e qytetit në Koçan. Kjo hapësirë do të ruhet nga pjesëtarët e MPB-së me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë në zonën e përcaktuar. Në këtë zonë do të vlejë gjithashtu ndalimi për përdorimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronëve).
Ky protokoll mediatik ka për qëllim mbrojtjen e privatësisë së familjeve të viktimave, duke mundësuar njëkohësisht që gazetarët dhe kameramanët ta ndjekin ngjarjen në mënyrë të sigurt nga një distancë e përshtatshme.
Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj tragjedie dhe standardet etike universale për raportim profesional, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) u bëjnë thirrje të gjithë gazetarëve dhe mediave të respektojnë parimet e mëposhtme etike:
Respektimi i dhimbjes personale dhe dinjitetit – Gazetarët duhet të raportojnë me empati, pa ndërhyrë në privatësinë e familjeve të viktimave.
Shmangia e senzacionalizmit – Raportimi për ngjarjet tragjike duhet të jetë i çliruar nga senzacionalizmi, spekulimet apo narrativave, fotografi dhe video emocionalisht të ngarkuara.
Publikimi i informacioneve të verifikuara – Duhet të transmetohen vetëm fakte të konfirmuara për të shmangur dezinformimin.
Ruajtja e balancimit dhe paanshmërisë – Mediat duhet të sigurojnë që raportimi i tyre të mos shkaktojë shqetësim publik.
Përveç kësaj, rikujtojmë se Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ), në deklaratën e saj të datës 18.03 për këtë tragjedi, ka theksuar rëndësinë e raportimit etik. Karta Globale e Etikës e IFJ-së nënvizon detyrën e gazetarëve për të respektuar dinjitetin njerëzor dhe për të vendosur saktësinë mbi shpejtësinë në transmetimin e lajmeve për këtë ngjarje tragjike.
Me qëllim sigurimin e lëvizjes së papenguar dhe identifikimit, punonjësit e mediatik duhet të kenë me vete shenjat PRESS dhe legjitimacionet gazetareske të lëshuara nga shtëpitë e tyre mediatike. mb/
Foto: MIA