• e enjte, 26 dhjetor 2024

Publikim i IMA-së: Për institucionet demokratike, sundimi i së drejtës dhe reformat në administratë të raportohet vazhdimisht

Publikim i IMA-së: Për institucionet demokratike, sundimi i së drejtës dhe reformat në administratë të raportohet vazhdimisht

Shkup, 30 tetor 2023 (MIA) - Institucionet demokratike, sundimi i së drejtës dhe reformat në administratën publike janë të rëndësishme, por vërejmë se një pjesë e madhe e mediumeve këtë periudhë nuk ishin aq të rëndësishme, përkatësisht nuk ishin në margjinat e raportimeve mediatike apo ishin me rëndësi në kontekst të eurointegrimeve të vendit, theksoi Zharko Trajanoski, udhëheqës i hulumtimeve në Institutin për mediume dhe analitikë IMA dhe autor i publikimit "Brenda (jashtë) fokusit mediatik: Institucionet demokratike, sundimi i ligjit, reformat në administratë", që u promovua sot në Shkup. Promovimi i publikimit është pjesë e aktiviteteve të projektit "Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile", që financiarisht është mbështetur nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVIKA Mobilitas.

Trajanoski tha se këto tema janë të rëndësishme për qytetarët dhe për organizatat qytetare pavarësisht p-rocesit të eurointegrimeve, përkatësisht, edhe po të mos ketë eurointegrime për qytetarët këto tema janë jashtëzakonisht të rëndësishme.

"Për fat të keq, edhe pse konsiderojmë se janë të rëndësishme, vërejmë se në shumë mediume këtë periudhë këto tema nuk ishin aq të rëndësishme, përkatësisht ishin në margjina të raportimeve mediatike apo ishin të rëndësishme vetëm në kontekst të eurointegrimeve. Athua duhet të vijë ndonjë përfaqësues nga BE-ja, që këto tema të jenë në fokus të interesit mediatik. Këto tema duhet të jenë në fokus të interesit mediatik pavarësisht procesit të eurointegrimit dhe pavarësisht asaj nëse ndonjë politikan i huaj do të insistojë për këto tema. Përse konsiderojmë kështu? Sepse institucionet demokratike janë më të rëndësishme për qytetarët dhe për shoqërinë qytetare", tha ai.

Ai theksoi se konkludim kyç nga publikimi është se këto tema shpesh do të margjinalizohen nga tema të tjera.

Në këtë publikim udhëzohen edhe disa rekomandime për mediumet. Një prej rekomandimeve është se edhe mediumet duhet ta japin kontributin e vet për depolarizim të diskursit publik duke u përmbajtur nga fjalori i cili nxitë urrejtje, dhunë, diskriminim apo polarizim shoqëror.

"Mediat nuk janë mjaftueshëm të fokusuara në temat: institucionet demokratike, sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit, reforma në administratën publike, digjitalizimi, si tema që janë me interes të veçantë për qytetarët dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tyre. Mediat gjatë pasqyrimit të këtyre temave jo gjithmonë i përmbahen parimit të verifikimit të fakteve, nuk ofrojnë mjaftueshëm burime kritike nga shoqëria civile dhe deklarata të drejtpërdrejta nga qytetarët dhe raportojnë në një gjuhë që nuk është e kuptueshme mjaftueshëm për qytetarët”, janë disa nga rekomandimet e cekura në publikimin drejtuar mediumeve.

Ambasadorja e Zvicrës në vendin tonë, Veronik Hulman theksoi se me rëndësi thelbësore është që institucionet dhe qytetarët të cilët besojnë në demokraci të punojnë së bashku në ndërtim të urave për tejkalim të polarizimit dhe të ndajnë informata të besueshme tëcialt do të mujndësojnë diskutim objektiv dhe informim të vendimeve.

"Në një shtet demokratik, shoqëria civile dhe media kanë një rol thelbësor për të luajtur. Në veçanti, për të monitoruar performancën e institucioneve shtetërore dhe politikanëve dhe për të kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie; të monitorojnë përdorimin e fondeve dhe zbatimin e projekteve; t’u japin zë grupeve të ndryshme, në veçanti të grupeve të ndjeshme, grave, të rinjve, pakicave dhe të sigurojnë që vendimmarrësit të marrin parasysh edhe interesat e atyre që kanë më pak pushtet; dhe, të avokojnë për zhvillimin dhe zbatimin e politikave efektive dhe gjithëpërfshirëse", theksoi në fjalimin e saj ambasadorja zvicerane Hulman.

Sipas ambasadores zvicerane, polarizimi mund t'i dobësojë demokracitë, t'i pengojë përpjekjet kolektive në drejtim të reformave që duhet të sigurojnë jetë të mirë për të gjithë.

Zëvendëskryeministrja Grkovska theksoi se në opinion vështirë depërtojnë temat që kanë të bëjnë me vlerat demokratike dhe nevojën për forcimin e të ashtuquajturave shkathtësi të buta, të cilat janë thelbësore për të përmirësuar kapacitetet njerëzore në institucione.

"Jam e vetëdijshme se përpjekjet që ndërmarrim përmes politikave dhe masave specifike për të inkorporuar në sistem parime si etika, përgjegjësia, llogaridhënia ndonjëherë duken naive, sidomos kur i vendosim në kontekstin e rasteve specifike ku ka dështuar drejtësia. Por pikërisht mungesa e vetëdijes për dëmshmërinë e sjelljeve të papërgjegjshme, joprofesionale dhe të paligjshme është një nga arsyet e tolerancës së lartë ndaj korrupsionit në shoqëri. Prandaj jam e bindur se paralelisht me reformat në fushën e sundimit të ligjit duhet të punojmë në vazhdimësi në ndryshimin e botëkuptimeve”, potencoi Grkovska.

"Si një demokraci ende e re, Maqedonia është larg kulturës së respektit ndaj kundërshtarit politik, madje edhe më larg nga toleranca ndaj mendimeve të ndryshme. Fatkeqësisht, kjo u konvenon partive për të fituar përkrahës (dhe është gjithashtu një trend global), dhe fatkeqësisht mediat nuk po bëjnë sa duhet për të dekurajuar një retorikë të tillë – do të përmendja shembujt me konferencat e pakuptimta për shtyp dhe njoftimet partiake", bëri me dije në diskutim drejtori i QMBN, Aleksandar Kërzhallovski, duke iu referuar polarizimit të dukshëm politik në shoqëri.

Drejtoresha e IShSH-Shkup, Dr. Katerina Kollozova, bëri me dije se sipas gjetjeve të Studimit Bazë të prodhuar nga ky projekt, qasja ndërsektoriale praktikisht ende mungon në planifikimin e politikave, gjë që shihet edhe nga vetë-prezantimi i vendit si dhe nga përgjigjet e Komisionit në Raportin e Skriningut për Maqedoninë e Veriut, botuar në korrik 2023. “Klasteri 1, Themelet, përshkon të gjitha klasterët tjerë të reformave sektoriale, e me këtë, qeverisja e mirë dhe drejtësia administrative janë gurthemeli i institucioneve evropiane dhe demokratike. Në dukje, zgjedhjet demokratike dhe një sistem adekuat zgjedhor janë minimumi i kritereve të Kopenhagës. Shumë më tepër se kaq, institucionet demokratike janë materializimi i vlerave themelore në sektorin e përgjithshëm publik, e motori lëvizës i tyre është metodologjia ndërsektoriale (“e klasterëve”)”, theksoi Kollozova.

Publikimi dhe panel – diskutimi që u mbajt sot janë pjesë e aktiviteteve të projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, i cili zbatohet nga Instituti për Shkenca Sociale dhe Humane – Shkup, Instituti për Media dhe Analitikë IMA, Instituti Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal (BIRC) dhe Shoqata e Qytetarëve për Sëmundje të Rralla “Jeta me Sfida”. Projekti realizohet me mbështetje financiare nga Qeveria e Zvicrës përmes programit CIVICA Mobilitas. Qëllimi i projektit është dialogu kritik dhe i informuar, monitorimi, analiza dhe avokimi i politikave, të cilat do të kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të pushtetit ekzekutiv për ndërtimin e institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse. ab/

Foto: МIА

QËNDRONI TË LIDHUR