Protesta në Shkup: Kërkohet liri për ish krerët e UÇK-së
- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në fjalën e tij në këtë protestë, tha se procesi në Hagë duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi siç shtoi, “të gjithë ata që ndodhen prapa grilave akuzohen për vepra të pabëra”.
- Post By Fami Bajrami
- 20:46, 13 dhjetor, 2025
Shkup, 13 dhjetor 2025 (MIA)- Me flamuj, simbole shqiptare dhe thirrje për liri e drejtësi, disa mijëra qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe rajoni sot protestuan në Sheshin Skënderbeu në Shkup në mbështetje të ish krerëve të UÇK-së që gjykohen në Hagë.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti në fjalën e tij në këtë protestë, tha se procesi në Hagë duhet të marrë epilog të pafajësisë, pasi siç shtoi, “të gjithë ata që ndodhen prapa grilave akuzohen për vepra të pabëra”.
Ahmeti theksoi se UÇK-ja nuk ka qenë kundër asnjë populli e as nuk ia ka mohuar lirinë të tjerëve, por ka kërkuar liri për popullin e saj.
“Ne kemi dashur lirinë, por jo duke ua mohuar lirinë popujve të tjerë. Ushtria jonë nuk ka qenë kundër as një populli e as popullit serb. Demonstrata e sotme nuk është kundër shtetit të Maqedonisë së Veriut, pasi këta që ndodhen në këtë gjykatë, kanë kontribuar për stabilitet dhe paqe, në ardhmërinë të këtij shteti pasi kanë qenë drejtues të institucioneve të rëndësishme, presidentë, kryeministra, kryetar Kuvendi dhe me dhjetëra e qindra marrëveshje kanë hedhur firma për një Maqedoni më të prosperuar dhe jo të frikësuar nga UÇK-ja e nga këta me plagë në trup. Këta nuk kanë luftuar kundër asnjë populli”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i Organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë kriminale, por ka mbrojtur kombin, ndërsa shtoi se ish krerët e UÇK-së po gjykohen me materiale të falsifikuara dhe dëshmitarë të rrejshëm.
“Ne sot kërkojmë drejtësi, jo drejtësi politike. Ajo Gjykatë më shumë është drejtësi politike dhe u ngjanë gjykatave të ish Jugosllavisë, të sistemit të kaluar të Titos. Kjo gjykatë sot merret me fakte të falsifikuara, fabrikuara, të cilat fare nuk qëndrojnë”, deklaroi Gucati.
Veterani Bedri Ajdari, veterani Hazgan Haklaj dhe e bija e dëshmorit Nuri Mazari, Shqipdona Mazari theksuan që shqiptarët nuk kërkojnë mëshirë apo hakmarrje, por vetëm drejtësi joselektive.
Pjesë e protestës ishin edhe ish komandantët e UÇK-së, Daut Haradinaj, Fatmir Limaj, por edhe figura të njohura të jetës publike e politike nga vendi dhe rajoni.
Protesta kaloi qetë, por mundej të vërehen edhe forca të shumta të sigurimit policor.
Kryeministri Hristijan Mickoski para tre ditëve deklaroi se Qeveria nuk e përkrah protestën e veterënëve dhe përkrahësve të UÇK-së, por megjithatë do të mundësojë siguri dhe mbarëvajtje të qetë të tubimit.