• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Protesta antiqeveritare në Izrael me kërkesë për lirimin e robërve në Gazë

Protesta antiqeveritare në Izrael me kërkesë për lirimin e robërve në Gazë

Tel Aviv, 11 shkurt 2024 (MIA) - Mijëra njerëz mbrëmë dolën në rrugë në Izrael që të bëjnë thirrje për lirimin e robërve të cilët i mban Hamasi në Gazë, por një pjesë e madhe e tyre kërkojnë edhe dorëheqje të Qeverisë. Familjarët e robërve e akuzuan kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu për dështim në bisedimet me Hamasin, të cilat zhvillohen përmes ndërmjetësve ndërkombëtarë. 

Marrëveshja do të mund "t'i kthejë robërit në shtëpitë e tyre nesër", tha në fjalimin e saj nëna e një të riu izraelit, rob në Gazë. "Votova për ty. Kur do të votosh për mua" e pyeti ajo Netanjahun.

Pjesëmarrës në një protestë tjetër në Tel Aviv kërkuan dorëheqje nga qeveria dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Më vonë natën disa qindra protestues bllokuan disa nga rrugët kryesore në qytet, ndërsa të paktën shtatë protestues janë arrestuar. 

Protesta të ngjashme u mbajtën në Jerusalem dhe Haifa, me kërkesë për lirimin e robërve. 

Robërit u morën nga Hamasi dhe grupe të tjera gjatë sulmit në tetor. Atëherë 1.200 njerëz u vranë dhe 250 të tjerë u dërguan në Gazë, me çka filloi konflikti aktual. Gjatë armëpushimit të nëntorit, 105 robër u liruan në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë. Hamasi mban ende 136 persona, megjithëse vlerësimet izraelite sugjerojnë se të paktën 30 mund të kenë vdekur.

Egjipti, Katari dhe SHBA-ja po bëjnë përpjekje që të vendosin armëpushim dhe ta lehtësojnë shkëmbimin e robërve për të burgosurit palestinezë të mbajtur në Izrael, në disa faza. 

Për momentin bisedimet po përparojnë ngadalë. Në ndërkohë, ushtria izraelite vazhdon me sulme masive ajrore dhe ofensivë tokësore kundër Hamasit. Më shumë se 28.000 palestinezë u vranë në luftën në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore rajonale, shumica e tyre civilë. fc/

Fotografia: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR