• e enjte, 26 dhjetor 2024

Protestë para Qeverisë për shkak të rastit me Klinikën e Onkologjisë

Protestë para Qeverisë për shkak të rastit me Klinikën e Onkologjisë

Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) - Protestë për shkak të rastit në Klinikën e Onkologjisë po mbahet sonte para Qeverisë. Është paraparë që pjesëmarrësit në protestë të vazhdojë deri në "Rekord", pastaj nga sheshi "Maqedonia" të mbërrijnë në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup. Siç bëjnë të ditur organizatorët, kërkohet "drejtësi për viktimat".

Darian Petrov, aktivist dhe aktor teatri nga Shkupi tha se nëna e tij ka humbur jetën nga kanceri në vitin 2020, ndërsa një vit më parë mjekohej në Klinikën e Onkologjisë. 

"Nuk do të hyja në detaje për atë që ndodhi atje, sepse do të doja ta fokusoja fjalimin në diçka tjetër. Ndonëse ndër vite si familje dhe personalisht kam pasur mundësi të bollshme të urrej institucionet, vendin tonë dhe thjesht të zemërohem me sistemin tonë, unë zgjedh ta përdor dhimbjen time në luftë dhe krijimtari. Unë gjej kuptim në aktivizmin dhe vullnetarizmin, dhe kjo është ajo që më shpëtoi nga vetëshkatërrimi. Ju inkurajoj të gjithëve ta shfrytëzojmë dhimbjen tonë të krijuar nga mendjet monstruoze në vendin tonë Maqedoni dhe ta shndërrojmë në një luftë dinjitoze për një të nesërme më të mirë, në kritikimin e sistemit në çdo mënyrë, në ndërtimin e një bashkësia të shëndoshë, vlera të shëndosha, bashkëjetesë. Për çdo padrejtësi si kjo në Onkologji dhe për çdo padrejtësi në të ardhmen, të themi me qetësi dhe dinjitet një jo të ashpër. Në një vend që është me këmbë të brishta dhe në një Planet që është në gjendje edhe më të brishtë, le të ndërtojmë një vlerë respekti për çdo jetë të vetme, pavarësisht prejardhjes etnike, statusit shoqëror apo çfarëdo llojllojshmërie", tha Petrov.

Ndërsa këtë, shtoi ai, do ta "fillojmë me kritikë të sistemit, guxim, aktivizim dhe veprim".

"Secili prej nesh është përgjegjës për atë se si do të jetë shoqëria e së nesërmes. Besoj se duke i motivuar fëmijët dhe nipërit tanë të mendojnë në këtë mënyrë, shumë shpejt do të arrijmë një jetë më cilësore. Jeta ndonjëherë është e frikshme dhe e vështirë dhe të mos lejojmë që disa mendje monstruoze ta bëjnë atë edhe më të vështirë për ne. Jo për padrejtësitë në Onkologji, jo për korrupsionin, jo për të gjitha padrejtësitë e së ardhmes. Këtë ua detyrojmë paraardhësve tanë, vetes dhe gjeneratave që do të vijnë. Prandaj ju bëj thirrje që protestat masive të bëhen normë për padrejtësi të tilla. Dhe këtë fjalim ia dedikoj nënës sime dhe të gjithë të dashurve tuaj, të cilët e humbën betejën me kancerin", shtoi Petrovi.

Rasti me akuzat për këtë klinikë shkaktoi një varg reagimesh në publik, pas çka vijuan protesta. Kompetentët paralajmëruan se do të sanksionohen të gjithë ata për të cilët do të vërtetohet se e kanë shkelur ligjin. Në këtë rast punojnë MPB-ja dhe Prokuroria. 

Prokuroria Publike njoftoi se i ndërmerr të gjitha veprimet për sigurimin e dëshmive me qëllim të kontrollit të akuzave në këtë lëndë. Në atë drejtim, që nga vetë fillimi është përfshirë një ekip i mjekëve dhe personel mjekësor, ndërsa është paralajmëruar edhe përfshirje e pacientëve onkologjikë të cilët do të kenë mbikëqyrje të drejtpërdrejtë në gjithë procedurën për rastin "Onkologjia". 

"Prokurori kompetent publik sot me telefon u kontaktua nga rreth 10-të qytetarë, të cilët me njohuritë e tyre dëshirojnë të ndihmojnë në procedurën për rastin "Onkologji", kumtoi Prokuroria Publike.

Prokuroria do të kërkojë nga organizata joformale, përmes së cilës pacientët i parashtrojnë kërkesat e tyre që të zgjedh tre pacientë onkologjikë, të cilët gjatë tërë procedurës do të kenë mbikëqyrje të drejtpërdrejt në dëshmitë e mbledhura dhe në veprimet e ndërmarra. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR