• e enjte, 26 dhjetor 2024

Propozohet paraburgim ndaj katër personave, zbulohet sasi e madhe e marihuanës në Shkup

Propozohet paraburgim ndaj katër personave, zbulohet sasi e madhe e marihuanës në Shkup

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Prokurori publik i Prokurorisë Themelore Publike Shkup, duke vepruar sipas kallëzimit penal të MPB - SPB - BSP Njësiti për trafikim të paligjshëm të narkotikëve dhe armëve, ka iniciuar procedurë hetimore kundër katër personave për veprën penale - Prodhim dhe vendosje e paautorizuar në tregun e drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.

Katër bashkëvepruesit, siç bëjnë me dije nga Prokuroria Publike, tre burra dhe një grua të moshës 49, 44, 19 dhe 45 vjeç, të gjithë familjarë, kanë blerë në mënyrë të paligjshme gjithsej 133.7 kilogramë lëndë narkotike marihuanë, të cilën e mbanin në auto-servis në Gjorçe Petrov.

"Më 2 maj, pasdite i kanë paketuar 99.6 kilogramë marihuanë dhe e kanë futur në një makinë. Duke lëvizur njëri pas tjetrit me tre makina të ndryshme, ata u nisën nga servisi në rrugën "Skupi". Në të njëjtën kohë, i dyshuari 19-vjeçar ka qenë në automjetin e tretë të fundit, i cili kishte për qëllim të paralajmëronte nëse do të vërente policë dhe patrulla në rrugë. Pasi një patrullë policie tentoi t'i ndalonte, disa nga të dyshuarit janë arratisur, por në bulevardin "8 Shtatori" u ndaluan dhe u privuan nga liria ndërsa druga i'u konfiskua. Pjesa tjetër e marihuanës u gjet gjatë bastisjes së auto-servisit", thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut. 

I dyshuari i parë akuzohet edhe për veprën penale - Prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregtim pa leje të armëve ose lëndëve shpërthyese nga neni 396 paragrafi 1 i Kodit Penal, pasi gjatë bastisjes së auto-servisit janë gjetur disa fishekë.

Për të katër të dyshuarit, prokurori publik kompetent gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup i ka dorëzuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, sepse ka vlerësuar se një masë e tillë është e nevojshme për mbarëvajtjen e procedurës penale.​ qa/shk/

QËNDRONI TË LIDHUR