• e enjte, 26 dhjetor 2024

Propozim-masat antikrizë, Plani për qëndrueshmëri fiskale dhe rritja ekonomike si dhe Ligji i ri për Marrëdhënie Pune në seancën e Këshillit Ekonomiko - social

Propozim-masat antikrizë, Plani për qëndrueshmëri fiskale dhe rritja ekonomike si dhe Ligji i ri për Marrëdhënie Pune në seancën e Këshillit Ekonomiko - social

Shkup, 4 nëntor 2022 (MIA) – Këshilli socio - ekonomik sot e mbajti seancën e katërt të cilin e kryesoi ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ndërsa të pranishëm ishin zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministrat e Financave, Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Fatmir Besimi dhe Admirim Aliti. Në seancë morën pjesë edhe përfaqësues të punëdhënësve, përfaqësues reprezentativ dhe joreprezentativ të sindikatave.

Siç kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në seancën e sotme u debatua për nëntë pika, në mesin e të cilave propozim-masat antikrizë të sindikatave, me ç'rast ministri Besimi theksoi se faza e parë gjatë krijimit të masave është reagimi i shpejtë me masa të përgjithshme antikrizë, me qëllim që të absorbohet shoku nga inflacioni. Organizata e punëdhënësve, thuhet në kumtesë, u pajtua masat të targetohen dhe njëherësh folën për ndikimin e çmimit të energjisë elektrike mbi rentabilitetin e tyre.

"Sipas Planit për Qëndrueshmëri Fiskale dhe mbështetjen e rritjes ekonomike, edhe njëherë nga përfaqësuesit qeveritarë u potencua se nuk do të ketë pushime nga puna e as ulje të pagave dhe në pajtim me planin, rekomandohet punë nga shtëpia vetëm aty ku ka mundësi për këtë. Do të vihet praktikë në krijimin e planit të qëndrueshmërisë fiskale çdo vit të marrin pjesë edhe partnerët socialë. Lidhur me Propozim-ligjin e ri për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për nëpunës administrativë, ministri Aliti shprehu se janë të hapur për bashkëpunim dhe përfshirjen e të gjitha sindikatave për propozime dhe komente", informon MPPS.

Në seancë u prezentua edhe raporti i Inspektoratit Shtetëror të Punës, për mbikëqyrje të zbatuara inspektuese lidhur me pagesën e regresit për pushim vjetor, lidhur me shkeljet dhe zbatimin e dispozitave të marrëveshjeve kolektive (në të gjitha nivelet), zbatimin e dispozitave të Ligjit për ndalesën e kryerjes së veprimtarisë së paregjistruar, shkeljeve nga sfera e sigurisë dhe shëndetit në punë, si edhe lidhur me zbatimin e Ligjit për pagën minimale nga punëdhënësit.

"Në seancë u fol edhe për Rregulloren e re për procedurën për dorëzimin dhe regjistrimin e marrëveshjeve kolektive dhe ndryshimet e tyre në organin kompetent shtetëror dhe mënyrën e udhëheqjes së evidencës për marrëveshjet dorëzuara kolektive. Të pranishmit u informuan edhe për Propozim-ligjin për barazi gjinore për të cilin tashmë në vijim janë debate, ndërsa u dha edhe informacion i shkurtër për Propozim-ligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga shqetësimet në punë. Propozim-ligji për mbrojtje nga shqetësimet ka draft-version fillestar dhe gjatë periudhës së ardhshme duhet të shqyrtohen edhe propozimet e partnerëve socialë", thuhet në kumtesë.

Në fund të seancës u hap edhe çështja për përgatitjen e Ligjit të ri për marrëdhënie pune, që zgjatë për një kohë më të gjatë, për çka ministrja Trençevska potencoi se deri në fund të këtij viti ky vendim ligjor do të hyjë në procedurë qeveritare. Paraprakisht do të mbahen debate publike në nëntë qytete, me qëllim që të dëgjohet mendimi i aktorëve relevantë në shoqëri.

QËNDRONI TË LIDHUR