• e shtunë, 23 nëntor 2024

Propozim-buxheti për vitin 2025 këto ditë para deputetëve

Propozim-buxheti për vitin 2025 këto ditë para deputetëve

Shkup, 30 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski pret që Propozim-buxheti për vitin 2025, i cili dje kaloi në seancë qeveritare, këto ditë të gjendet para deputetëve. Rritja ekonomike e projektuar në 3,7 për qind për vitin e ardhshëm, thotë se mund të tejkalohet nëse realizohen investimet e paralajmëruara të kompanive dhe investimet kapitale.

"Pres që në tremujorin e tretë të lëvizim midis 2,5 dhe 3 për qind, në tremujorin e katërt midis 3 dhe 3,5 për qind, ndërsa nuk do të befasohem nëse në tremujorin e parë të vitit të të ardhshëm, nëse gjithçka është siç e projektojmë me investimet e kompanive dhe me investimet e shtetit, të shkojmë në katër dhe nuk do të habitesha që vitin e ardhshëm të jetë 3,7 e më shumë, sepse këta janë treguesit që kemi aktualisht në dispozicion. Ka edhe disa gjëra që duhet të fillojnë të funksionojnë, disa fabrika ende nuk kanë filluar dhe pres që të fillojnë në periudhën në vijim, kështu që projeksioni për vitin e ardhshëm është 3,7, por nuk do të habitesha nëse bëhet më shumë", tha Mickoski pas vizitës së sotme në komunën Gjorçe Petrov.

Për rritjen e pagave, tha se në Propozim-buxhetin janë ndarë mjete për këtë qëllim dhe se si rezultat të marrëveshjes së arritur me Sindikatat për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK), veçmë nga nëntori të punësuarit do të kenë rritjen e parë. Ai pret që të hënën ose të martën të fillojnë bisedimet me sindikatat e shëndetësisë.

Të ardhurat e përgjithshme në Buxhet për vitin 2025 janë planifikuar në 358 miliardë denarë, që është për 13 për qind më shumë se buxheti për vitin 2024, ndërsa shpenzimet e përgjithshme në nivel të 400 miliardë denarëve, që është rritje për 10 për qind në krahasim me buxhetin për vitin 2024. Rritja ekonomike u planifikua në nivel të 3,7 për qind, deficiti buxhetor në katër për qind, inflacioni 2,2 për qind.

Sipas ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, Propozim-buxheti përmban masa për konsolidim fiskal dhe shpenzime të disiplinuara tatimore dhe masa dhe politika për nxitjen e rritjes ekonomike.

Propozimi-buxheti duhet të dërgohet në Kuvend, ku duhet të kalojë filtrin e parë, pas çka me vërejtjet eventuale do t'i kthehet Qeverisë për rishikim dhe më pas për miratim përfundimtar në Kuvend. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR