• e premte, 27 shtator 2024

Promovohet libri "Hani i tre djajve" nga autori Fadil Curri

Promovohet libri

Shkup, 25 shtator 2024 (MIA) - Në hapësirat e komunës së Çairit sot u bë promovimi i librit "Hani i tre djajve" nga autori Fadil Curri. Para mysafirëve të pranishëm në këtë event, fjalime për jetën dhe veprimtarinë e autorit mbajtën recensuesi i librit Rexhep Bajrami, kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Memet Balazhi, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe personalitete tjerë nga jeta publike në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë.

Fadil Curri u lind në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit më 25 shtator të vitit 1959. Kohë të shkurtë pas lindjes së tij, familja u shpërngul në Shkup. Aty Fadili e kreu shkollën fillore, të mesmen dhe Fakultetin Filologjik-dega Gjuhë Shqipe e Letërsi.

Që nga fëmijëria, ai nisi të shkruante poezi, që i botonte në gazetat e shkollës dhe në revistat e njohura letrare “Gëzimi” e “Fatosi” në Shkup. Pas diplomimit punoi kryeredaktor në gazetën “Sharri” në Han të Elezit, pastaj drejtor për kulturë në Kaçanik, kurse viteve të fundit ishte mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe i letërsisë. Si gazetar i furnizonte faqet letrare dhe informative të “Shkëndijës” , “Rilindjes” e të “Flakës” së Prishtinës dhe të Shkupit.

Fadil Curri është autor i mbi dhjetë librave të botuar, redaktor, recensues dhe lektor i qindra librave letrarë e shkencorë. Këto janë veprat e tij letrare:

-“A(H) FATI(H) YNË NË PESHOJË”, përmbledhje tekstesh udhëtimi nga Belgjika e Gjermania, biseda e shënime me të burgosur e të padrejtësuar dhe krimin në Bllacë të Shkupit nga çetnikët e komunistët);
-“KOHË QORRE – A BLIND TIME (tufë poezish në shqip e anglisht);
-“KRONIKË PËR NJË DASHURI” (roman me dy botime);
-“MUZAT E HANPENCIT” (panoramë letrare shkollore e Hanit të Elezit);
-“TREGIME PËR FËMIJË” (përmbledhje tregimesh për fëmijë);
-“RINJOHJA PAS VDEKJES NË…KOSOVË” (roman, vazhdim tematik i “Kronika për një dashuri”);
-“KËSHTU MENDONTE, FLISTE E SHKRUANTE ADEM KASTRATI” (autobiografi dhe shkrime të tjera);
-“ATY KU U KALITËN KAMPIONËT” ( monografi e historisë së mundjes në Han të Elezit);
-“ARKA E THESAREVE” ( dramë e inskenuar dhe e shpërblyer në Festivalin Dramatim të Shkollave të Kosovës, në Skënderaj, pastaj e botuar si libër);
-“HANI I ELEZIT LEKSIKOR ME FRAZEOLOGJI” (fjalë të shënuara nga kjo anë);
-“PALLË KRITIKE MBI QEPALLËN AGONIKE” .

Autori ka marrë pjesë në shumë takime e karvane shkrimtarësh në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, si dhe në debate shkencore. Ka qenë pjesëmarrës në shumë konkurse letrare, nga juritë e të cilave edhe është shpërblyer disa herë. Ishte edhe botues i revistës “E vërteta” në Shkup e Tetovë, Kaçanik e Han të Elezit. 

Paraprakisht, leximorja në rrugën "Xhon Kenedi" u emërtua me emrin e Fadil Currit. Ai ndërroi jetë në moshën 65 vjeçare në Shkup më 6 prill të vitit 2024. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR