• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Prokuroria vepron ndaj tre kallëzimeve penale iniciuar nga kompania austriake AMMA

Prokuroria vepron ndaj tre kallëzimeve penale iniciuar nga kompania austriake AMMA

Shkup, 28 qershor 2023 (MIA) - Prokuroritë Themelore Publike në Gjevgjeli dhe Shkup, si dhe Prokuroria e Lartë Publike Shkup janë duke zhvilluar tri procedura të ndara, pas kallëzimit penal të iniciuar nga kompania austriake AMMA Import Export GmbH (AMMA), për të cilën në një letër të hapur për media, dje alarmoi edhe ambasadori austriak, informojnë sot nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

"Edhe pse në rastin konkret në esencë bëhet fjalë për raport civilo-juridike ndërmjet personave juridikë, ndërsa të drejtat e tyre sigurohen në procedura përkatëse gjyqësore dhe procedura tjera, pas kallëzimeve të parashtruara penale veprohet jashtëzakonisht me shpejtësi", thuhet në kumtesën e PPRMV-së.

Nga PPRMV sqarojnë se personi juridik i përmendur në vitin 2021 ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale- Mashtrim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

"Prokurori publik kompetent pas verifikimit të të gjitha gjetjeve konstatoi se nuk ka elemente të veprave penale, por elemente të marrëdhënies civile-juridike për të cilat të dëmtuarit kanë zhvilluar procedurë e cila ka përfunduar në Qendrën ndërkombëtare të arbitrazhit në Vjenë të Austrisë. Pas ankesës lënda gjendet në procedurë në Prokurorinë e Lartë Publike Shkup”, informon PPRMV.

Ndërkohë, i njëjti person juridik ka paraqitur kallëzim në Prokurorinë Themelore Publike Gjevgjeli për veprën penale - Dëmtim apo privilegjim të kreditorëve.

“Raporti është pranuar më 26.05.2023 dhe prokurori publik kompetent tashmë është duke vepruar, mbledh prova dhe nëse është e nevojshme do të urdhërojë edhe ekspertizë përkatëse”, thonë nga PPRMV.

Në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, ndërkaq i njëjti person juridik me datë 23.06.2023 ka parashtruar kallëzim penal kundër zyrtarëve anonim në Agjencinë e kadastrës për patundshmëri për keqpërdorime në shërbim, falsifikim të dokumentit zyrtar dhe falsifikim kompjuterik.

“Kallëzimi tashmë është shpërndarë tek prokurori publik, është duke u studiuar dhe po ndërmerren aktivitete për hetimin e pretendimeve, sigurimin e provave dhe identifikimin e autorëve të mundshëm”, thuhet në kumtesën e PPRMV.

Ambasadori austriak Georg Vucas, dje në një letër të hapur drejtuar mediave me titull "Çfarë do të mbisundojë?" Sundim i ligjit dhe mbrojtje e investimeve austriake në Maqedoninë e Veriut apo marrëveshje kriminale për kapjen e gjyqësorit dhe zyrtarëve juridikë” dhe akuzoi se kompanitë DENA dhe GLOBAL kanë kapur gjyqësorin dhe zyrtarët (përmbaruesit dhe noterët) në rastin e investimit austriak në vend AMMA Import Export GmbH (AMMA) me seli në Hohenems, Austri dhe bëri thirrje për "largimin e të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve të paaftë dhe të njëanshëm për këto raste".

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR